Dhurimi ushqimor pa taksa: Ligji i ri për TVSH dhe tatimin mbi të ardhurat

Plani: Dhurimi i ushqimeve do të përjashtohet nga taksat, sot paguhet TVSH dhe tatim mbi të ardhurat

Produktet ushqimore që afrohen nga data e skadencës trajtohen aktualisht në dy mënyra: ose lihen të skadojnë dhe hidhen jashtë përdorimit pa paguar taksa, ose nëse dhurohen, duhet të paguhen taksa. Kjo situativë favorizon më shumë bizneset që t’i lënë ushqimet të skadojnë, duke mos inkurajuar dhurimin dhe, si rrjedhojë, duke krijuar më shumë mbetje ushqimore.

Në Programin Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve theksohet ky aspekt, duke nënvizuar se një ndërhyrje ligjore për lehtësimin e dhurimit të ushqimit mund të ketë një efekt pozitiv.

“Praktika aktuale tregon se për shkak të TVSH-së, shpesh është më e lirë për bizneset të hedhin ushqimin sesa ta rishpërndajnë atë. Në përputhje me qëllimin e Dokumentit të Veprimit të BE-së për reduktimin e mbetjeve ushqimore dhe për mbështetjen e objektivit të rishpërndarjes së ushqimit të tepërt për konsum njerëzor, do të aplikohet ndryshimi i ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe ligjit për tatimin mbi të ardhurat, me qëllim përjashtimin e dhurimeve të ushqimit nga TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat. Dhurimi i ushqimit në pikat sociale është pjesë e objektivave për reduktimin e ushqimit me 30% në nivelin e shitjes me pakicë, të parashikuara deri në vitin 2035”, thuhet në dokument.

I njëjti dokument sjell në vëmendje se vende të ndryshme të Bashkimit Europian, për të inkurajuar dhurimin e ushqimit, kanë investuar në një sërë aspektesh, si:

  • Rregulloret detyruese: Duke kërkuar dhurimin e ushqimit të pashitur nga supermarketet, sektori i kateringut dhe mikpritjes.
  • Elementet ligjore: Duke minimizuar rreziqet ligjore dhe përgjegjësinë për dhurimet e ushqimit, aty ku është e mundur.
  • Stimujt ekonomikë: Duke përjashtuar nga taksat ushqimin e dhuruar.
  • Mekanizmat organizativë: Nëpërmjet ngritjes së grupeve sektorialë të punës për dhurimin e ushqimit, për lehtësimin dhe inkurajimin e dhurimit të ushqimit në Shqipëri, si dhe kryerjen e një studimi mbi pengesat e mundshme ligjore dhe dhurimet ushqimore që kryhen aktualisht.
  • Ngritjen e kapaciteteve: Organizimi i trajnimeve mbi dhurimet e ushqimit, për punonjësit në sektorët e industrisë ushqimore, shitjes me pakicë dhe shërbimit të ushqimit (p.sh. hotele, restorante dhe kafene).

“Banka e Ushqimit në Shqipëri është pjesë e Federatës Evropiane të Bankave të Ushqimit. Kjo u jep bizneseve mundësinë e bashkëpunimit me Bankën e Ushqimit, duke mundësuar shpërndarjen në sasi të ushqimit tek njerëzit në nevojë. Këto qasje ndihmojnë në devijimin e ushqimit të konsumueshëm nga asgjësimi në landfill dhe drejt përdorimit. Megjithatë, aktualisht, Shqipëria nuk ka një kuadër ligjor dhe rregullator të posaçëm për nxitjen e dhurimeve të ushqimit”, thuhet në program.

Scroll to Top