Diella si barcaletë në mediat ndërkombëtare, tani rrezikon edhe “fytyrën”
Pas skandaleve të korrupsionit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), fabula e Diellës është kthyer në një objekt talljeje për qeverinë shqiptare në mediat e huaja.
Aventura e Diellës, “ministrës me inteligjencë artificiale” e cila u prezantua me bujë si simbol i një Shqipërie futuriste dhe si armë kundër korrupsionit në prokurimet publike, sot duket se ka marrë goditjen përfundimtare. Avatarja e promovuar nga kryeministri si një inovacion botëror në qeverisje, tashmë ka një problem ligjor për përdorimin e imazhit të aktores Anila Bisha, që i dha asaj fytyrën.
Kjo situatë qesharake në të cilën ka përfunduar “ministrja” ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Politico.eu raporton se, në kundërshtim me çfarë kishte nënshkruar me aktoren Anila Bisha, qeveria ka vijuar përdorimin e imazhit të saj përtej afatit dhe fushës së rënë dakord, e cila ishte e kufizuar vetëm në platformën e-Albania.
Projekti propagandistik që po kthehet në boomerang për qeverinë shqiptare, na kujton fjalimet plot seriozitet me të cilat kryeministri Rama e prezantoi Diellën, si një mjet që do ta bënte sistemin e prokurimeve “100 për qind të lirë nga korrupsioni”. Këto premtime u pasuan nga ceremonitë ku presidenti i vendit, Bajram Begaj, firmosi emërimin e saj si pjesë e kabinetit qeveritar.
Nisma, që duhej të ishte një hap përpara në luftën kundër korrupsionit, ngjan sot si një perde e grisur pas së cilës kanë shpërthyer skandalet e korrupsionit, që propaganda nuk arriti t’i mbulojë. Për më shumë, mund të lexoni shkrimin e Politico.eu.
Nga Alice Taylor
Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Dixhitale të Shqipërisë, zyrtarja e parë virtuale në botë, mund të mbetet së shpejti pa fytyrë, pasi aktorja mbi të cilën u modelua po e çon qeverinë në gjykatë.
Në gusht 2025, kryeministri shqiptar Edi Rama tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare me idenë e një ministri apo kryeministri me inteligjencë artificiale. Një muaj më vonë, ai prezantoi Diellën, një zyrtare e fuqizuar nga inteligjenca artificiale, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit në prokurimet publike. Diella ishte tashmë e njohur për shqiptarët si chatbot në portalin qeveritar të shërbimeve e-Albania.
Avatari u ndërtua duke përdorur fytyrën dhe zërin e aktores Anila Bisha, në bazë të një kontrate që skadoi më 31 dhjetor 2025. Ngritja e avatarit në nivel ministror në shtatorin e vitit të kaluar bëri që imazhi i saj të merrte jetë në një fjalim në Parlament, i transmetuar në mbarë botën.
Por Bisha, siç raportohet, ka paditur tashmë Këshillin e Ministrave, kryeministrin, një kompani private të përfshirë në projekt dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ajo pretendon se qeveria ka vijuar përdorimin e imazhit të saj përtej afatit dhe fushës së rënë dakord, e cila ishte e kufizuar vetëm në platformën e-Albania.
Në dokumentet gjyqësore të publikuara nga disa media vendase, Bisha kërkon një masë pezullimi për të ndaluar menjëherë përdorimin e imazhit të saj deri në përfundim të çështjes. Ajo pretendon se ka pësuar dëme të konsiderueshme dhe të pakthyeshme nga përdorimi i paautorizuar i identitetit të saj.
Bisha kishte shpjeguar më herët gjatë një interviste televizive në shtatorin e kaluar se kishte regjistruar materiale të shumta video dhe audio për chatbot-in e e-Albania, për një periudhë të kufizuar dhe kundrejt një pagese simbolike, pa dhënë leje për përdorime të tjera.
Zëdhënësja e qeverisë shqiptare, Manjola Hasa, i tha POLITICO-s: “Shqipëria është një vend i lirë demokratik ku, si në çdo vend tjetër pa censurë, njerëzit janë të lirë të mendojnë dhe të veprojnë përmes rrugëve ligjore kundër qeverisë. Sipas nesh, kjo padi është pa kuptim, por ne e mirëpresim mundësinë për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë në një gjykatë.”
Bisha nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në momentin e publikimit të lajmit.
