Avokatët hedhin poshtë spekulimet: Dionis Teqja nuk figuron në kërkim
Lidhur me disa publikime të fundit në media, ku pretendohet se Dionis Teqja është shpallur në kërkim ose po njoftohet përmes shpalljeve publike, përfaqësuesit e tij ligjorë i konsiderojnë këto lajme si tërësisht të pavërteta, të pabazuara dhe dezinformuese.
Përmes një komunikimi zyrtar me mediat, avokati Erind Troka, përfaqësues ligjor i Dionis Teqes, sqaron se Gjykata ka kryer vetëm një njoftim përmes shpalljes, në kuadër të një çështjeje civile, dhe jo për ndonjë situatë që lidhet me kërkim ose procedim penal.
“Bëhet fjalë për çështjen civile me numër 1234, datë 10.12.2025, e cila po ndjek rrjedhën e saj normale procedurale,” thuhet në njoftim.
Avokati Troka thekson se zoti Dionis Teqja është drejtues i disa kompanive të mëdha në vend dhe se kjo procedurë është thjesht një formalitet ligjor, pa asnjë lidhje me shpallje në kërkim apo çështje penale.
Gjithashtu, përfaqësimi ligjor ka informuar zyrtarisht Gjykatën se zoti Dionis Teqja ka marrë dijeni për seancën gjyqësore të planifikuar për datën 13.02.2026, ora 13:00, gjë që përjashton çdo interpretim dashakeq apo spekulativ mbi mungesë komunikimi apo fshehje.
Sipas avokatit Troka, çdo përpjekje për të paraqitur këtë procedurë të zakonshme si një çështje kërkimi apo penale përbën dezinformim serioz të opinionit publik dhe cenim të rëndë të figurës dhe reputacionit të zotit Dionis Teqja.
Për këtë arsye, përfaqësimi ligjor njofton se po ndjek hapat e mëtejshëm ligjorë ndaj çdo subjekti apo platforme që përdor këtë çështje për qëllime të tjera, të ndryshme nga informimi i drejtë i publikut, duke shtrembëruar faktet dhe duke dëmtuar imazhin e klientit të tij.
