Sot, Dita Botërore e Filozofisë
UNESCO kremton Ditën Botërore të Filozofisë çdo të enjte të tretë të nëntorit, duke theksuar vlerën e qëndrueshme të filozofisë për zhvillimin e mendimit njerëzor, për çdo kulturë dhe për çdo individ.
Sipas UNESCO-s, filozofia është si një disiplinë frymëzuese, ashtu edhe një praktikë e përditshme që mund të transformojë shoqëritë. Duke mundësuar zbulimin e diversitetit të rrymave intelektuale në botë, filozofia stimulon dialogun ndërkulturor.
Duke nxitur mendjet për të ushtruar të menduarit dhe përballjen e arsyesuar të opinioneve, filozofia kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më tolerante dhe më respektuese. Kështu, ajo ndihmon për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha bashkëkohore, duke krijuar kushtet intelektuale për ndryshim.
Çdo vit, më 20 nëntor, partnerët e UNESCO-s inkurajohen të organizojnë lloje të ndryshme aktivitetesh, si dialogë filozofikë, debate, konferenca, seminare, ngjarje kulturore dhe prezantime me temë të përgjithshme të ditës. Në këto veprimtari marrin pjesë filozofë, shkencëtarë, studentë, përfaqësues të medias dhe publiku i gjerë.
Sot, UNESCO do të zhvillojë një takim në Paris me profesoreshën Ingrid Robeyns, mbi etikën e pabarazisë dhe vlerat që formësojnë shoqëritë e së ardhmes. Ingrid Robeyns është një filozofe dhe ekonomiste belgo-holandeze, e vlerësuar shumë në rang akademikësh. Në leksionin e saj kryesor, ajo do të reflektojë mbi nevojën urgjente për të rimenduar themelet morale dhe institucionale të shoqërive tona.
