Mër. Sht 26th, 2018

Dita e Nënë Terezës, Meta: Solidaritet dhe përfshirje sociale për shtresat në nevojë

TIRANË, 5 shtator . “Të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë”.

Ky ishte mesazhi i Presidentit Ilir Meta, në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, një festë për mbarë shqiptarët dhe botën katolike në tërësi.

“Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore”, shprehet Meta.

Dita e sotme, që shënon kremtimin e Shenjtërimit të saj, sipas tij, “është një dite feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë”.

“E bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë, me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj. Me mesazhin e saj nuk duhet të harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit”, vijon kreu i shtetit.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Presidenti Meta solli porosi të Shën Nënë Terezës, simbolit të çdo nëne shqiptare, si shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm, me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale. /m.m/r.e/

Kategori