Die. Dhj 9th, 2018

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, bashkia Berat ndihmon fëmijët në nevojë

TIRANE, 5 shtator . – 5 shtatori i 2016-ës shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Në përkujtim të kësaj dite, në mjediset e Bibliotekës “Vexhi Buharaja“ u organizua sot aktiviteti me temë “Nënë Tereza, shenjtore e të varfërve“.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Kisha Katolike e Beratit dhe shkolla “Ylli i mëngjesit”, përfaqësues të pushtetit vendor, intelektualë, nxënës të shkollave etj.

Motër Maria, përfaqësuese e Kishës Katolike të Beratit, duke iu referuar jetës së humanistes shqiptare, u shpreh se Nënë Tereza është shpirti, dhembshuria, është misionarja e bamirësisë, ajo është frymëzimi për një botë ku duhet të mbizotërojë paqja, mirësia dhe dashuria midis njerëzve.

Përfaqësuesi i Bashkisë, Kadri Kuka, pas një biografie të shkurtër rreth jetës së Nënë Terezës, theksoi se e gjithë jeta e saj është një apel për paqe, dashuri, respekt, ndihmë ndaj të varfërve, të vobektëve dhe të pamundurve, për t’i dhënë shoqërisë sonë dimensione humane, siç ishte vetë jeta e saj.

Kuka e mbylli fjalën e tij me një nga mesazhet më largpamëse të Nënë Terezës për bashkatdhetarët e saj: “Po të doni më shumë njëri-tjetrin, do të doni kombin. Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë, mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar”.
Ndërsa nxënësit e shkollave lexuan disa nga mesazhet e Nënë Terezës për jetën.
Aktiviteti për Nënë Terezën vazhdoi më tej me ndarjen e ndihmave dhe të mjeteve mësimore për fëmijët e shtresave në nevojë. /e.malaj/r.e/

Kategori