Sht. Nën 17th, 2018

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Veliaj shërben drekë për njerëzit në nevojë

TIRANË, 5 shtator. Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, bashkia e Tiranës zgjodhi të shtrojë drekë në të gjitha qendrat e saj sociale për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato.

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe disa të rinj vullnetarë shërbyen drekën në mjediset e Qendrës Sociale Komunitare në Njësinë 4, e cila nga sot do të mbajë emrin e bamirëses së madhe me origjinë shqiptare, “Gonxhe Bojaxhiu”.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi datën e sotme një ditë të veçantë, ndërsa theksoi se, Nënë Tereza me veprën e saj na tregoi se nuk ka nevojë të jesh i famshëm, por më e rëndësishme është të kesh një zemër të mirë.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët që t’i bashkohen këtij solidariteti, duke dhënë kontributin e tyre në ndihmë të njerëzve që kanë më shumë nevojë.

Ai tha se kjo ditë është edhe një moment reflektimi për të gjithë shqiptarët, për të mos penguar njëri-tjetrin, por për ta konvertuar të gjithë këtë energji në punë konkrete.

“Duke e quajtur qendrën tonë sociale në Njësinë 4 ‘Gonxhe Bojaxhi’, i kujtojmë vetes dhe kujtdo se çfarë potenciali kemi ne shqiptarët, kur vendosim të bëjmë mirë. Por, e kemi kuptuar se kemi potencial edhe kur bëjmë keq. Kur ne shqiptarët ndajmë mendjen që do bllokojmë, që do vëmë stërkëmbësha, që do flasim keq, që do intrigojmë, që do pengojmë njëri-tjetrin, edhe aty jemi të paparë. Por, sikur gjithë këtë energji ta kthenim për mirë, në punë konkrete, sikur t’i shërbenim njëri-tjetrit, sikur të shëronim një plagë, sikur të dëgjonim një hall, sikur të qanim një problem, çfarë mrekullie do të ishte në Tiranë!” – deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se Tirana është shumë më solidare sesa tre vite më parë, ku janë hapur një numër qendrash sociale dhe mensa. “Do të vijojmë këtë rrjet solidariteti që është ngritur sot në Tiranë për të ndihmuar të gjithë qytetarët”, nënvizoi ai.

Veliaj falënderoi edhe të rinjtë dhe të rejat e Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë, të cilët në vend të konferencave apo të baltosjes kanë zgjedhur të bëjnë një punë konkrete në dobi të komunitetit.

Më pas, kreu i bashkisë së Tiranës iu bashkua edhe fëmijëve që trajtohen në këtë qendër sociale në një ndeshje futbolli.

Bashkia e Tiranës ka hapur në këto tre vite disa mensa sociale në të gjithë kryeqytetin, duke iu gjendur pranë qytetarëve në nevojë për mbështetje. Ata marrin jo vetëm një vakt të ngrohtë, por njëkohësisht edhe një shërbim të specializuar me mjekë, psikologë etj. /m.m/r.e/

Kategori