Djali i Sokol Olldashit kritikon Sali Berishën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një tjetër “Folltore” me të rinjtë e FRPD-së. Një nga folësit ishte Glauk Olldashi, djali i Sokol Olldashit, i cili theksoi se me formatin aktual të “Foltores”, po dëmtohet imazhi i PD-së.
Olldashi vuri në dukje se personat e zgjedhur për të folur janë shpesh të paaftë dhe në disa raste, të dehur. Ai shtoi se kjo situatë dëmton jo vetëm partinë, por sidomos të rinjtë që përfaqësohen.
“Mendimi im është që shumë nga folësit aty nuk janë të denjë të na përfaqësojnë. Nuk di kush i zgjedh, por folësit që dalin aty po bëjnë faj ndaj nesh, flasin kuturu, disa edhe tapë, na dëmton të gjithëve sidomos ne të rinjve. Dëmtimi i imazhit të PD na dëmton më shumë ne se ju, doktor”, tha ai.
Glauk Olldashi paraqiti gjithashtu ide dhe sugjerime për të përmirësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në “Foltore”. Ai propozoi që çdo të hënë të organizohet një “Folltore” specifike me ekspertë për të trajtuar tema të ndryshme.
“Çdo të hënë të bëjmë një Foltore specifike, një të hënë për arsimin, një për mjekësinë, bujqësinë, naftëtarët. Problemet në Shqipëri janë pa fund. Na duhen ekspertë që kur njerëzit të na ndjekin të hënën të na dëgjojnë me vëmendje e të mos shohin fytyra që na bëjmë të qeshim”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu sugjeroi zhvillimin e takimeve pa kamera dhe media, pasi sipas parimit të tij, “problemet e shtëpisë fliten brenda saj dhe jo në sytë e botës.”
