Djali i presidentit të Bolivisë, i arrestuar për dhunë në familje, është liruar.
Luis Marcelo Arce Mosquera, djali i presidentit të Bolivisë, i arrestuar të enjten me akuza për “dhunë në familje”, është liruar me urdhër gjykate. Ky urdhër përcakton se ai duhet të ndjekë seanca mbështetëse psikologjike për pesë muaj.
Gjatë seancës gjyqësore, paditësja, e pranishme së bashku me avokatin e saj, kërkoi të tërhiqte akuzat. Ajo kishte dorëzuar një certifikatë mjekësore që i mundësonte 12 ditë pushim nga puna.
Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për 180 ditë, por gjyqtarja vendosi ndryshe dhe liroi 33-vjeçarin me kusht që të ndjekë terapi psikologjike për pesë muaj.
Në pamjet e transmetuara nga mediat boliviane, Luis Marcelo Arce Mosquera shihet duke dalë nga gjykata në Santa Cruz, në lindje të Bolivisë, duke mbajtur kapelë dhe maskë kirurgjikale.
Presidenti bolivian Luis Arce, i cili do të përfundojë mandatin e tij pesëvjeçar në nëntor, pas marrjes vesh për rastin, deklaroi se fëmijët e tij janë përgjegjës për veprimet e tyre.
Presidenti në largim i Bolivisë, baba i tre fëmijëve, është vetë nën hetim pas një akuze nga një ish-zyrtare e autoritetit të minierave dhe mineraleve, e cila pretendon se ai e ka lënë shtatzënë dhe nuk ka njohur fëmijën e lindur në vitin 2024.