Drejtoria e Doganave bllokon aktivitetin e “Bankers Petrol”
“Bankers Petroleum Albania” ka njoftuar se aktiviteti prodhues dhe financiar i kompanisë në impiantin e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz është bllokuar në mënyrë arbitrare dhe duke tejkaluar procedurat ligjore. Ky bllokim është kryer me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.
“Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë,” thuhet në njoftim. Si pretekst për bllokimin është paraqitur pretendimi për mos-pagesën e akcizës për holluesin e naftës. Kompania sqaron se ky produkt nuk duhet të jetë subjekt i akcizës, pasi nuk konsumohet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të legjislacionit shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së.
Ky bllokim ka sjellë ndalimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar një rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
Gjithashtu, kompania thekson se ky vendim ka çuar aktivitetin e saj operativ në kolaps të plotë.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Autoriteti Kombëtar i Naftës dhe Gazit (AKBN) ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të kompanisë.
