Dogana dhe biznesi francez diskutojnë lehtësimin e procedurave doganore
Të enjten u zhvillua një takim midis Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë–Shqipëri (CCIFA) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Objektivi kryesor i takimit ishte forcimi i dialogut institucional dhe thellimi i bashkëpunimit mes administratës doganore dhe komunitetit të biznesit, me qëllim lehtësimin e tregtisë, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend.
Takimin e hapi Z. Julien Roche, President i CCIFA. Ai vlerësoi transparencën dhe profesionalizmin e Administratës Doganore, si dhe theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë. Gjithashtu, ai nënvizoi rolin e CCIFA në përfaqësimin e interesave të anëtarëve të saj.
Zoti Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm, u shpreh se ky është takimi i parë zyrtar me CCIFA dhe pritet të pasojë takime të tjera. Ai shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të partneritetit Doganë–Biznes.
Z. Gazheli rikujtoi eksperiencat pozitive të mëparshme me operatorë të veçantë ekonomikë francezë. Ai përmendi dhënien e statusit “Operator Ekonomik i Autorizuar” subjektit MARLOTEX, si një shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm, në prani të përfaqësuesve të lartë të institucioneve shqiptare dhe franceze. Ai inkurajoi bizneset e pranishme të aplikonin pranë Administratës Doganore për të përfituar nga lehtësitë që ofron ky status.
Gjatë takimit u theksuan gjithashtu marrëdhëniet historikisht të mira mes Doganave Shqiptare dhe atyre Franceze, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me Atasheun Doganor Francez dhe Ambasadën Franceze në Tiranë.
Z. Gazheli shprehu entuziazëm për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve edhe në kuadër të CCIFA. Ai garantoi mbështetje dhe asistencë maksimale për anëtarët e saj, në funksion të zhvillimit dhe prosperitetit të bizneseve të tyre në Shqipëri.
Më pas, u prezantuan çështjet kryesore të ngritura nga bizneset anëtare, si dhe pritshmëritë e tyre sa i përket procedurave dhe shërbimeve doganore. Takimi përfundoi me konkluzionin për thellimin e bashkëpunimit, me qëllim lehtësimin e tregtisë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
