Dogana Qafë Thanë drejt normalitetit pas bllokimit

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave në Qafë Thanë: Aktiviteti Doganor Drejt Normalizimit

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një inspektim në Degën Doganore Qafë Thanë për të ndjekur nga afër situatën në këtë pikë kufitare. Ky inspektim u zhvillua pas vështirësive të krijuara nga bllokimi i qarkullimit në aksin rrugor Tiranë–Librazhd, i cili për disa ditë ndikoi edhe në lëvizjen e mjeteve të transportit, veçanërisht të kamionëve.

Gjatë vizitës në terren, Drejtori u njoh me situatën aktuale dhe masat e marra për menaxhimin e fluksit. Aktualisht, aktiviteti në pikën doganore po rikthehet gradualisht në normalitet me rifillimin e qarkullimit të rregullt të mjeteve.

Në një prononcim gjatë inspektimit, z. Beja theksoi rëndësinë e rikthimit të normalitetit në këtë pikë të rëndësishme kufitare:

“Pas situatës së krijuar nga bllokimi i rrugës dhe vështirësive që pati qarkullimi i mjeteve të transportit, veçanërisht i kamionëve, puna në pikën doganore Qafë Thanë po rikthehet gradualisht në normalitet. Strukturat tona në terren kanë menaxhuar fluksin dhe vijojnë të garantojnë funksionimin e rregullt të procedurave doganore.”

Gjatë inspektimit, Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi gjithashtu takime me drejtuesit dhe punonjësit e degës. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi funksionimin e procedurave doganore, menaxhimin e fluksit dhe rëndësinë e ruajtjes së standardeve të kontrollit dhe shërbimit.

Në kuadër të kësaj vizite, në Degën Doganore Qafë Thanë u zhvillua edhe një takim sensibilizues me stafin e Drejtorisë së Përgjithshme. Ky aktivitet është pjesë e një fushate informuese që po realizohet në të gjitha degët doganore në vend nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të vizitës së monitorimit nga DG TAXUD (Drejtoria e Përgjithshme për Taksimin dhe Unifikimin Doganor) dhe synon rritjen e ndërgjegjësimit të administratës doganore shqiptare mbi kërkesat dhe standardet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë këtij takimi u prezantuan prioritetet që lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe praktikave doganore me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe roli i administratës doganore në këtë proces të rëndësishëm për vendin.

Scroll to Top