Pas debateve të ndezura në Britani lidhur me skandalin “Epstein”, një tjetër dorëheqje ka ndodhur në stafin e kryeministrit Starmer.
Tim Allan, drejtori i komunikimit i Keir Starmer, ka dhënë dorëheqjen pas vetëm pesë muajsh në detyrë. Dorëheqja e tij vjen një ditë pas asaj të shefit të stafit të kryeministrit, Morgan McSweeney.
Allan deklaroi shkurtimisht: “Kam vendosur të jap dorëheqjen për t’i hapur rrugë një ekipi të ri. I uroj kryeministrit dhe ekipit të tij çdo sukses.”
Kjo dorëheqje përbën një tjetër goditje për pozicionin e Starmer, mes një debati të ashpër rreth vendimit për ta emëruar Peter Mandelson ambasador në Uashington, pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta me autorin e dënuar për abuzim seksual me fëmijë, Jeffrey Epstein.
Starmer iu drejtua stafit të Downing Street të hënën për të përsëritur keqardhjen e tij për emërimin e Mandelson, ndërsa këmbënguli se qeveria e tij mund të “vazhdojë përpara”.
Allan, ish-zëvendëssekretar shtypi për Tony Blair, i cili më pas themeloi agjencinë e PR Portland, u rikthye në Downing Street në shtator si pjesë e riorganizimit të fundit të ekipit të Starmer. Në këtë riorganizim, Darren Jones u zhvendos gjithashtu në Kryeministri nga Thesari.
Allan zëvendësoi James Lyons, i cili kishte qenë drejtor i komunikimeve strategjike vetëm për një vit. Pak pasi Allan mori detyrën, Steph Driver, drejtuesja e komunikimeve të përditshme në Downing Street, dha dorëheqjen, duke u shprehur shqetësime se Allan ishte rekrutuar mbi të.
Emërimi i Allan ishte disi i diskutueshëm, pjesërisht për shkak të disa klientëve të marrë përsipër nga Portland. Megjithatë, humbja e dy anëtarëve të lartë të stafit në më pak se 24 orë pritet të thellojë përshtypjen se operacioni i Starmer në Downing Street po përballet me vështirësi.
