Dosja KAYO/Ahmetaj: Pse pronat e ushtrisë i kalojnë izraelitit Ron Yeffet
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka ngritur akuza të reja ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u fokusuar këtë herë te kompania shtetërore e armëve KAYO. Ahmetaj pretendon se kjo kompani është krijuar si mjet për transferimin e pronave publike të Forcave të Armatosura në pronësi private.
Gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, Ahmetaj deklaroi se kompania KAYO nuk u themelua për arsye strategjike mbrojtëse, por për të mundësuar përfitime për biznesmenë të lidhur me pushtetin. Sipas tij, pas krijimit të kompanisë shtetërore, janë marrë vendime të jashtëligjshme për të futur si aksionar biznesmenin izraelit Ron Yeffet, të cilin Ahmetaj e cilëson si mik personal të ngushtë të kryeministrit Rama.
“Vetëm një mendje perverse…”, tha Ahmetaj, duke shtuar: “Çfarë roli ka Yeffet në biznes, veç miqësisë me kryeministrin?”
Ahmetaj e përshkroi këtë situatë si një aferë korruptive, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Ai sjell në vëmendje se Ron Yeffet ka qenë më herët aksionar në Air Albania, ka tentuar të marrë në pronësi tokën e ambasadës shqiptare në SHBA për ndërtim dhe tani, sipas Ahmetajt, përfshihet edhe në biznesin e armëve përmes një kompanie publike. Kjo, sipas tij, përbën konflikt të hapur interesash dhe rrezik për sigurinë kombëtare.
Ish-zv.kryeministri solli në vëmendje edhe një tjetër episod problematik: kontratën me kompaninë ELBI SYSTEM. Sipas Ahmetajt, kjo kompani është e lidhur me Ron Yeffet dhe është nën hetim nga disa vende të NATO-s për tendera në fushën e armëve. Përfshirja e saj në projekte të lidhura me shtetin shqiptar ngre, sipas tij, pikëpyetje serioze për standardet e sigurisë dhe përzgjedhjen e partnerëve strategjikë.
Ahmetaj denoncoi gjithashtu një zhvillim të fundit në strukturat ushtarake. Ai deklaroi se kreu i Forcave të Armatosura është ndërruar së fundmi dhe personi i emëruar është vëllai i një miku të afërt të kryeministrit Rama.
“E bukura është që këta kanë ndërruar komandantin e forcave tokësore dhe kanë vënë vëllain e një miku të afërt të familjes, të përmendur në media. E dini pse? Se duan të bëjnë rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve me Ron Yeffet. Po ku e gjeti këtë?”, tha Ahmetaj.
Sipas tij, kjo lëvizje nuk është rastësore, por lidhet me planet për përvetësimin e pronave të ushtrisë, duke përdorur strukturat shtetërore si mbulesë ligjore.
