Dosja Meta: SPAK kërkon ndihmë nga autoritetet e huaja

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve, u shpreh se çështja “Meta” ndodhet në fazën e hetimit paraprak dhe kërkohet ndihma e autoriteteve të huaja.

Dumani sqaroi se, në kontrast me çështjen “Berisha”, e cila është hetuar dhe dërguar për gjykim brenda një viti, çështja “Meta” ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare për të ecur përpara.

Ai theksoi se si kreu i SPAK, nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në çështje konkrete, pasi prokurorët ushtrojnë ndjekjen penale në mënyrë të plotë. Dumani ka deleguar te prokurorët e posaçëm përgjegjësinë për nënshkrimin e akteve dhe garancinë e pavarësisë së tyre. Vendimet për strategjinë hetimore dhe masat e sigurisë i takojnë prokurorit, ndërsa çdo kërkesë për ndryshim mase kalon në gjykatë.

“Bashkëpunimin me institucionet e huaja do ta quaja të shkëlqyer”, u shpreh Dumani, duke shtuar se po punohet për profilizimin e prokurorëve të caktuar për këto çështje.

Leave a Comment

Scroll to Top