Mbahet sot seanca paraprake për dosjen “Meta”, GJKKO vendos për fatin e saj
Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të vendosë sot nëse dosja “Meta” do të kalojë për gjykim.
Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do të kthehet për rishqyrtim.
Në seancën e kaluar, Gjoka vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Ilir Metën, ndërsa seanca paraprake u shty për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Monika Kryemadhit.
Avokati i ish-presidentit Meta ka akuzuar gjyqtaren Gjoka se po e shqyrton këtë rast nën presionin e prokurorëve të SPAK. Sipas avokatit, Gjoka po hetohet për dënim të fshehur dhe falsifikim dokumentesh në shtetin grek, akuza të ngritura ndaj saj nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Më herët, ish-presidenti Meta ka reaguar nga burgu lidhur me një letërporosi të ardhur nga SHBA, e cila ka të bëjë me pagesa për çështjen e lobimit. Kjo letërporosi, e cila është njoftuar më parë nga prokurorët e SPAK si provë, është quajtur nga Meta si gënjeshtër e SPAK.
