“`html
Dosjet “Epstein”: Hoxhaj pranoi propozimin e Pacollit për princeshën tajlandeze
Princesha tajlandeze, e cila në dosjet e Jeffrey Epstein prezantohet si Konsulle e Nderit e Kosovës në Bangkok, nuk e ka mbajtur kurrë këtë titull, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJD).
Në dosjet e financuesit amerikan, i akuzuar për abuzim dhe trafikim me vajza të mitura, përmendet shpesh emri i Rajadarasri Jayankura. Flitet për takime mes tyre, automjete me emblemën e Kosovës dhe organizime ku marrin pjesë miliona fëmijë.
Në përgjigjen e MPJD-së për KOHËN, thuhet se ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kishte nënshkruar në vitin 2012 një vendim për emërimin e Jayankuras si konsulle nderi, në një periudhë kohore para njohjes së Kosovës nga Tajlanda. Mirëpo, ky vendim nuk ka marrë plotfuqishmëri.
MPJD sqaron se vendimi dhe nota verbale përkatëse për emërim i janë përcjellë autoriteteve të Mbretërisë së Tajlandës, por propozimi nuk ka marrë miratim zyrtar nga shteti pritës. Në vitin 2014, është dërguar një notë verbale shtesë nga kabineti i ish-ministrit, e cila gjithashtu nuk ka marrë përgjigje.
Meqenëse emërimi nuk ka marrë kurrë pëlqimin e shtetit pritës, MPJD e konsideron të pavlefshëm përdorimin e këtij titulli dhe ka paralajmëruar se do të ndërmerren masa për të siguruar që personi në fjalë të heqë të gjitha publikimet dhe referencat që e paraqesin si Konsulle Nderi e Republikës së Kosovës.
KOHA e ka pyetur ish-ministrin Hoxhaj se për çfarë arsyesh është bërë emërimi dhe nga kush është sugjeruar, por nuk ka marrë përgjigje.
Departamenti i Drejtësisë në SHBA, në fund të janarit, publikoi mbi 3.5 milionë dokumente që lidhen me Epstein. Javën e kaluar, KOHA raportoi se në to përmenden presidenti i Kosovës dhe Behgjet Pacolli. Në të dy e-mailat figuronte edhe emri i Rajadarasri Jayankura, e cila prezantohet si princeshë nga Tajlanda ose konsullja e nderit e Kosovës.
Në një korrespondencë tjetër me Daniel Siad, bashkëpunëtor i Epstein, Jayankura e akuzon atë se po i dëmton reputacionin. Siad i përgjigjet se e ka ndihmuar të marrë titullin e konsulles.
“Madje, këtë titullin e Kosovës që e ke, ti e di mirë nga ka ardhur. Unë madje kam paguar biletën që të vij në Tajlandë dhe Filipine që të rri me ty për 6 orë në Infermierinë e Aeroportit të Manillës. E keni memorien e shkurtër, ndoshta që po plakeni. E gjithë kjo për t’iu njohur me Zotëri Kosovën dhe tani ju u bëtë Zonja Konsulle e Kosovës… Më keni përdorur mua dhe lidhjet e mia të arrini aty ku jeni, me titullin e Kosovës dhe të tjerat lidhje në Paris, çantat Hermes që shitët e përfituat para pas shpinës sime”, thuhet në mesazhin që Siad i ka dërguar Jayankuras.
Në llogarinë në Instagram të Jayankuras figuron se ajo është Konsulle Nderi e Kosovës dhe përmendet MABETEX, kompani e ish-presidentit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili ka mohuar ta ketë njohur a takuar Epsteinin.
Në një përgjigje për KOHËN, Pacolli ka thënë se Jayankura ka dhënë kontribut të madh në promovimin e Kosovës, duke ndihmuar në procesin e njohjeve nga vende si Tajlanda, Bangladeshi, Malajzia dhe Singapori.
“Ajo është angazhuar fuqishëm për Kosovën, veçanërisht në aspektin logjistik të delegacioneve të Kosovës gjatë vizitave në Nju Jork. Çdo mohim i kontributit të saj do të ishte një mosmirënjohje e radhës, ashtu siç është krijuar imazhi për ne. Zonja Luang ka qenë dhe mbetet një mike e shkëlqyer e imja dhe jam shumë mirënjohës për atë që ka bërë për Kosovën. Zonjën Luang e kam propozuar unë në vitin 2012 për Konsulle nderi. Nuk më kujtohet fakti se ajo nuk është konfirmuar nga ministria e jashtme e Tajlandës”, ka thënë Pacolli.
Sa i përket takimeve të saj me Epstein, Pacolli ka thënë se në atë kohë kur mund të kenë ekzistuar këto kontakte, askush nuk mund ta parashikonte natyrën e vërtetë të veprimeve të tij. Ka shprehur bindjen se përpjekja e saj ka pasur për qëllim krijimin e lidhjeve me liderë të shteteve të ndryshme në funksion të njohjeve për Kosovën.
Në një e-mail që ka pranuar Epstein nga një adresë e redaktuar, flitet për Jayankuran. Aty dikush i thotë financuesit amerikan, të akuzuar për abuzim seksual të fëmijëve, nëse po e shikon se si ajo mund të jetë e dobishme.
“Ka përputhje të jashtëzakonshme interesash – një milion fëmijë është bollëk i gatshëm për t’u shfrytëzuar”, thuhet në një mesazh që ka pranuar Epstein në adresën e tij elektronike.
Në një shkëmbim tjetër është dërguar edhe një link i një videoje në YouTube, ku shihet një numër i madh i fëmijëve duke u lutur.
KOHA e ka pyetur Rajadarasri Jayankuran për titullin e saj si Konsulle Nderi dhe organizimet me një milion fëmijë, por nuk ka marrë përgjigje.
Në një korrespondencë tjetër përmendet një makinë me emblemën e Kosovës anash, por fjalia nuk është e kuptueshme.
Jeffrey Epstein ishte financues amerikan i përfshirë në një rast të madh penal për abuzim dhe trafikim të të miturve, që ka prodhuar mijëra faqe dokumente dhe hetime ndërkombëtare. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2019, ndërsa autoritetet amerikane e mbyllën rastin si vetëvrasje.
“`
