Pentagoni publikon dosjet qeveritare të UFO-ve. Bie në sy objekti lëvizës në formë ylli
Me urdhër të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Departamenti i Mbrojtjes publikoi të premten dhjetëra dosje të klasifikuara më parë, të cilat lidhen me pamje të dyshuara të UFO-ve. Qëllimi i këtij veprimi, sipas deklaratës së Departamentit të Mbrojtjes, ishte ofrimi i “transparencës” për publikun amerikan dhe jo vetëm. Ky publikim i dokumenteve, fotove dhe videove të “fenomeneve të paidentifikuara” pritet të pasohet nga publikime të tjera në të ardhmen, ndërkohë që më shumë materiale deklasifikohen.
Donald Trump ishte presidenti i fundit që ka miratuar publikimin e raporteve të qeverisë amerikane mbi UFO-t, një proces që ka filluar në fund të viteve 1970.
Ekspertët theksuan se grupi prej rreth 160 dosjesh të publikuara të premten përmban video të reja të pamjeve të njohura, por nuk ofron prova bindëse për teknologji aliene apo jetë jashtëtokësore. Dosjet përfshijnë një raport të vitit 1947 për “disqe fluturuese”, si dhe foto të paqarta të “fenomeneve të paidentifikuara” të marra nga sipërfaqja e hënës gjatë misionit hënor Apollo 12 të vitit 1969. Gjithashtu, përfshihet një transkript i ekuipazhit Apollo 17, ku përshkruhen objekte të paidentifikuara të vëzhguara nga hëna në vitin 1972.
Një nga videot më interesante është ajo e një objekti të ngjashëm me llambadar, i cili shfaqet në formë ylli. Megjithatë, sipas disa analistëve, ky mund të jetë thjesht një iluzion optik i shkaktuar nga përdorimi i teleskopit.
Disa kritikë i kanë konsideruar këto zbulime të UFO-ve si një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet politike të Trump, duke përfshirë fushatën ushtarake amerikane kundër Iranit, e cila nuk ishte popullore, si dhe presionin publik për të publikuar dokumente të mëtejshme lidhur me rastin e Jeffrey Epstein.
Zbulimi i këtyre të dhënave pritet të nxisë një debat të ri mbi sekretet qeveritare dhe mundësinë e ekzistencës së jetës në kozmos.
