Mediat: Dubai kthehet në qytet fantazmë mes sulmeve iraniane që trondisin qytetin
Gjatë një fundjave dimërore, e cila zakonisht përkon me sezonin më të begatë turistik, vendet që do të ishin të mbushura plot si plazhet, qendrat tregtare dhe restorantet e hoteleve, përkundrazi rezultuan kryesisht të zbrazëta. Autostradat ishin pothuajse të papërdorura dhe nga qielli mungonte rrjedha e zakonshme e avionëve. Dubai Marine, një zonë e njohur për aktivitetin e saj me jahte dhe festa në varka, ishte jashtëzakonisht e qetë.
Për shumë banorë, kjo situatë ngjallte kujtime të izolimeve të pandemisë COVID-19 gjashtë vjet më parë, kur një nga qendrat më të ngarkuara të transportit në botë papritur u shndërrua në një vend të heshtur. Siç raporton CNN, shkollat në qytet janë rikthyer në mësimin online dhe familjet po qëndrojnë brenda ambienteve të tyre.
“Ndjehet si ditët e Covid-it. Është qetë, me diell, dëgjohen zogj dhe mungon zhurma e trafikut apo avionëve”, tha Paul Devitt, një kameraman i CNN në Abu Dhabi. Disa banorë bënë blerje të shpejta në supermarkete për t’u furnizuar, ndërsa aplikacionet për dërgesa ushqimore raportuan vonesa për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës.
Në lagjet që zakonisht gumzhinin nga aktiviteti deri në orët e vona të natës, rrugët ishin të boshatisura. Për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, disa persona u larguan me makinë drejt zonave më të qeta të vendit.
Në Hatta, pranë kufirit me Omanin, të paktën një hotel e transformoi sallën e tij të konferencave në një strehë të përkohshme për turistët që kishin lënë dhomat por nuk mund të fluturonin për në shtëpi. Disa mysafirë të sapoardhur thanë se po zhvendosnin familjet e tyre larg zonave të Dubait që ishin prekur nga sulmet. Të tjerë, fillimisht, u nisën drejt Omanit përmes rrugëve tokësore, duke qenë se në atë kohë ishte i vetmi vend në rajon që nuk ishte prekur nga sulmet iraniane të së shtunës. Megjithatë, të dielën, autoritetet e Omanit njoftuan se dy dronë kishin shënjestruar një port atje.
Dubai, një qytet që ka si pikë krenarie sigurinë dhe stabilitetin, nuk disponon strehimore publike kundër sulmeve ajrore. Shumë banorë zgjodhën të kalonin natën e së shtunës në parkingjet nëntokësore, duke mbrojtur fëmijët e tyre të shqetësuar nga realiteti i shpërthimeve që dëgjoheshin mbi kokat e tyre. Disa u shpjeguan fëmijëve të vegjël se shpërthimet ishin fishekzjarre të Ramazanit ose topa, të cilët tradicionalisht lëshohen gjatë kohës së iftarit në vendet myslimane.
