Mër. Dhj 19th, 2018

Duke e ftuar Steve Bannon-in për fjalim, Unioni i Oksfordit i dhuroi fitoren

Pasi u shkarkua nga detyra si krye-strateg i Donald Trump-it, Steve Bannon është përpjekur të shfrytëzojë çdo rast të mundshëm për t’u reklamuar. I patrazuar nga humbja e punës së dytë si drejtues i Breitbart, këtë janar, ai ka vazhduar fushatën për populizëm dhe ka shfaqur hapur mbështetjen e udhëheqësve të djathtë në të gjithë Europën.

Shumë e kanë protestuar, si kryeministrja e Skocisë, e cila refuzoi të shfaqet përkrah tij, për shkak se mund të normalizonte pikëpamjet raciste të së djathtës ekstreme.

Ftesa e tij për të folur te  Unioni prestigjioz i Universitetit të Oksfordit është vërtet goditje e rëndë.

Pasi u përhap lajmi e pasi u ndoq nga një zemërim i kuptueshëm, presidenti i Unionit,  Stephen Hovarth, tha për “Oxford Student”: “Vetëm duke dëgjuar mendimet e të tjerëve, mund të arrijmë t’i kuptojmë ata. Qofshim dakord apo jo, të menduarit kritik ka vlera të larta intelektuale, pasi mund të kuptohet se për çfarë mund të biem dakord e për çfarë jo, në vend që t’i refuzojmë.”

Po sa e thellë është vlera intelektuale e të menduarit kritik të Steve Bannon-it? Ndoshta shumë e thellë. Ai është truri që organizoi hyrjen e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, duke identifikuar kështu etjen e një pjese të madhe të popullatës amerikane që ishte lënë pas dore nga e majta, por me një kosto shumë të lartë.

Nën drejtimin e Bannon-it, Breitbart i mëshoi miteve për krimin e lartë nga zezakët, për homofobinë, transfobinë, misogjininë dhe islamofobonë. Mbrojtja që i dha populizmit nacionalist i bën jehonë lëvizjeve të djathta në të gjithë Europën. Sigurisht që ai meriton vlerësim kritik urgjent nga kushdo që nuk është një tifoz i etno-nacionalizmit apo supremacisë së bardhë.

“Mendoj se s’ka gjë të keqe”, më tha një ish president i Unionit të Oksfordit, kur u kërkova të më thoshin se çfarë mendonin për ftesën e Bannonit. “Të gjithë do të kënaqen. Anëtarët, njerëzit që protestojnë jashtë. Do të jetë ditë e bukur.”

Gjithë thelbi mbetet te liria dhe te aftësia e të kuptuarit (në nivel filozofik.). Ka shumë prova që tregojnë se aftësia e shumë njerëzve nuk është e mirë, por në fund të fundit, unë kam besim te liria.

Megjithatë, liria është monedhë të cilës i bie vlera po ta kesh me sasi të madhe. Kur dikush e ka njohur lirinë me bollëk, e ka të lehtë ta marrë si të mirëqenë. Kur u përhap lajmi i ftesës së Bannonit, rrjeti i Laburistëve Myslimanë të Oksfordit postuan një deklaratë që thoshte: “Ky veprim i pavlerë dhe i rrezikshëm për reklamimin e tij mund të bëhet vetëm nga ata që nuk i kanë përjetuar kurrë pasojat e supremacisë së bardhë apo të gjuhës së urrejtjes”.

Këto pasoja mund të jenë shkatërruese. Normalizimi i retorikës të së djathtës, të cilën Bannon e ka ushqyer me forcë në Breitbart dhe në Shtëpinë e Bardhë, ka bërë që neo-nazistët të fitojnë aq shumë terren. Ka bërë që të ndodhin mizori si ato në Charlottesville, në gusht të vitit të shkuar, si dhe ka shtuar dyshimet se emigrantët janë kriminelë të rrezikshëm. Ka ligjëruar atë lloj urrejtjeje që hidhet ndaj kujtdo që nuk përputhet me imazhin e “amerikanit ideal”. Ironike, duke qenë se Bannoni ka ushqyer urrejtje edhe ndaj sistemit, që tani është në rrezik të vërtetë.

Kushdo mund të zgjidhte një nga batutat e Bannonit, t’i vinte një pikëpyetje në fund, dhe të ngrinte shumë diskutime rreth saj, me mijëra fjalë. Mund të shkruash mjaft duke argumentuar rreth deklaratave si “armët nuk janë problemi”, apo “sjellja e Turmpit me zero-tolerancë në kufi është një politikë humanitare.” “Tomi Robinson duhet të lirohet nga burgu.” Apo për “le të të quajnë racist, ksenofob, nativist, homofob… ti mbaji fyerjet si medalje!”. Mund të citohen me dhjetëra intervista që ka dhënë Bannon mbi këto tema. Ai e ka thënë dhe më parë. Pse t’i kërkosh të përsërisë veten?

“Studentët do të arrijnë ta sfidojnë me argumente”, tha ish presidenti i Unionit. “Mund të japin një goditje. Nëse nuk ka ndryshuar gjë, pse të mos vazhdosh si normalisht?”

Kjo pyetje, sigurisht, bazohet kryesisht në hamendësimin që “normalja” ka qenë mirë. Apo që është normale që disa personazhe të dyshimtë e të rrezikshëm të lejohen në gjirin e njërit prej universiteteve më të njohura në botë, që studentët të luajnë me ta.

Është pranuar nga anëtarët e mëparshëm se debati është thjesht një mënyrë për të arritur një fund egoist, dhe si shembull janë Boris Johnson dhe Michael Gove. Kjo duhet të vlejë edhe për të ftuarit. Kjo e bën aq thelbësore si motivimin e individit, ashtu  dhe kapacitetin e platformës së Oksfordit për t’ia lehtësuar punën.

Retorikat e zakonshme të Bannon-it përfshijnë: Të folurat sipërfaqësore të Jackson Pollock për termat ushtarake; thirrje agresive për veprim; anashkalim i pyetjeve që nuk i shërbejnë qëllimeve të tij; mbrojtje e të drejtuesve të së djathtës ekstreme në Amerikë, Itali, Francë, Zvicër dhe Hungari; thirrje për të vënë emocionet para fakteve; dhe të ndërprerit e atyre që flasin. Nuk përfshijnë përgjigjet me argumente kuptimplota. Në jetën e vërtetë, kur ti i jep Steve Bannon-it një mikrofon, ai e merr dhe ikën me vrap.

Pyeta ish-presidentin e unionit të Oksfordit nëse ekziston një person, ftesa ndaj të cilit do të quhej e tepruar. Pas një pauze, u përgjigj: “Pa u menduar shumë, them se s’do të ftonim dikë që do ta përdorte platformën për të shkelur ligjin, për të përhapur shpifje dhe gjuhë urrejtjeje. Dhe dikë që do të rrezikonte studentët fizikisht.”

“Mund të them që nëse ftohet një person shumë i debatueshëm, duhen bërë shumë pyetje sfiduese nga publiku. Përndryshe, ftesa i bën bisht vetë qëllimit.”

Për mendimin tim, këtij qëllimi është bërë bisht nga një tjetër. Nëse të stërvitësh muskujt intelektualë të studentëve ka koston e rritjes së vlerave të një personi që ndjek programe politike të cilat vënë në rrezik jetën e mijëra, miliona njerëzve, atëherë nuk ia vlen.

InfoPasqyra/tch

Kategori