Lajmeneutrale

Durrës: Ekspozitë historike rikujton qytetin e humbur

Mbrëmjen e kaluar, në fasadën e ish-hotel “Vollga” në Durrës, u çel një ekspozitë me rreth 120 fotografi të skanuara, kryesisht pamje të qytetit bregdetar gjatë shekullit të kaluar.

Fotografia më e hershme, realizuar në vitin 1912, tregon pjesë të mureve antike pranë Torrës veneciane, të cilat nuk ekzistojnë më. 20 tabelat me foto kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve vendas dhe turistëve gjatë sezonit të vjeshtës.

Punonjësit e ndërmarrjes komunale kanë filluar punimet për trotuarin ngjitur me ish-hotel, duke u shërbyer kalimtarëve drejt shëtitores bregdetare. Qytetarët shprehin shpresën që fotot dhe trotuari të ndriçohen gjatë natës, duke shtuar atraktivitetin për vizitorët.

Kujtesa historike e qytetit ka pësuar humbje të mëdha gjatë tre dekadave të fundit, me rindërtimin e objekteve me vlerë, të cilat kanë humbur destinacionin e tyre fillestar.

Disa nga fotot në ekspozitë tregojnë pamjet e ish-fabrikës së cigareve “Stamles”, e cila sot është kthyer në një institucion arsimor, pa ruajtur asnjë gjurmë nga aktiviteti i saj gati 70-vjeçar, i njohur në rang ballkanik.

Fotot më të munguar nga ekspozita janë ato të shatërvanit që dikur gjendej në sheshin “Liria”, i cili u hoq për t’i lënë vend projektit të ri të sheshit në mesin e viteve 2010. Shatërvani, vepër e arkitektit Kristo Sotiri, i përkiste kohës së ndërtimit të godinës së Bashkisë.

Pamjet e Durrësit nga dekadat e kaluara përfshijnë gjithashtu fotografi të shkollës së parë në qytet, ku sot nuk ekziston asnjë shenjë apo tabelë përkujtimore.

Fotografitë e ekspozuara pranë Torrës veneciane janë ofruar kryesisht nga pedagogia e UAMD-së, Brunilda Liçaj, e cila i ka mbledhur nga vëllime të shumta të kohës, duke përfshirë edhe revistën “National Geographic”.