Enj. Nën 22nd, 2018

Durrës, promovim turizmit të peshkimit

TIRANË, 9 nëntor . – Projekti TOURISMED ka për qëllim promovimin e turizmit të peshkimit si një praktikë e qëndrueshme e turizmit detar.

Bashkia Durrës nëpërmjet zbatimit të Projektit TOURISMED, i cili financohet nga programi i BE-së Interreg Med 2014-2020, synon që të promovojë një experiencë ndryshe dhe unike turistike, që mund të ofrojë të ardhura shtesë për peshkatarët si dhe mund të sjellë një diversifikim të ofertës për operatorët turistikë, të cilët kanë një ndikim të qëndrueshëm në burimet e peshkimit turistik.

Gjatë zbatimit të këtij Projekti, i cili vjen si një risi në vendin tonë, me datë 8 dhe 9 Nëntor, u zhvilluan disa udhëtime pilot të peshkimit turistik, me qëllim testimin dhe promovimin e udhëtimeve të peshkimit, si një praktikë e qëndrueshme e turizmit bregdetar dhe detar në zonën e Mesdheut.

Kështu, këto udhëtime pilote të peshkimit turistik (pa pagesë), u zhvilluan sipas itinerareve të paracaktuara më parë nga eskpertët e turizmit të peshkimit në bashkëpunim me peshkatarët dhe operatorët turistikë, më konkretisht në zonën e Kepit të Rodonit, Gjirin e Lalzit dhe Portin e Peshkimit në qytetin e Durrësit.

Gjatë itinerarëve turistët u prezantuan me zonën e peshkimit, ekosistemin detar dhe varietetet tipike të peshkut, demostrimin e teknikave të peshkimit, larmishmërinë e peshkimit dhe degustimin e peshkut lokal. Gjithashtu, më qëllim diversifikimin dhe kombinimin tokë-det të këtyre itinerareve, turistët vizituan sitet arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore më atraktive të qytetit të Durrësit, siç janë: Kisha e Vjetër e Shën Ndoit, Kështjella e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Amfiteatri Romak, Muzeu Arkeologjik, Muret rrethuese të Durrësit, Tregu Bizantin, etj.

Aktorë të tjerë lokalë në këtë lloj turizmi, janë edhe hotelet apo njësitë akomoduese turistike me qëllim diversifikimin e ofertave turistike dhe shërbimeve të reja për klientët, duke ofruar kështu edhe mundësinë për të bërë rezervime për klientët e tyre gjatë udhëtimeve turistike që do të zhvillohen jo vetëm përgjatë muajit Nëntor 2018, por edhe në të ardhmen. Së fundmi, vlen të theksojmë se peshkimi turistik vjen si një produkt i ri lokal në llojet e turizmit që ofron qyteti i Durrësit për turistët vendas dhe të huaj. /o.l/.j.p/

Kategori