“e-Albania” në gjendje kritike: Sistemi “self-care” jashtë funksioni prej tre ditësh
Prej tre ditësh, aktiviteti i bizneseve është paralizuar pasi sistemi “self-care”, i menaxhuar nga e-Albania, nuk funksionon. Një ekonomiste raporton se platforma e faturave është plotësisht e paaksesueshme.
“Bizneset e vogla, ku punonjësi i vetëm është pronari, përdorin platformën qendrore të faturave për të emetuar fatura tatimore për shitjet e shërbimeve të tyre. Tani, për tre ditë rresht, ata nuk kanë mundur të lëshojnë fatura sepse platforma nuk funksionon,” shpjegon ajo.
Problemet me sistemet dixhitale kanë qenë të vazhdueshme që nga fundi i vitit të kaluar, por kjo është dita e tretë radhazi që bizneset nuk arrijnë të hyjnë në sistem.
Bizneset e vogla me vetëm një të punësuar nuk mund të përgatisin bilancet vjetore, pasi nuk mund të nxjerrin dot fatura blerjeje dhe shitjeje, si dhe tabelën përmbledhëse të të ardhurave dhe shpenzimeve totale të vitit, mbi të cilën bazohet bilanci.
Shumë prej tyre e përdorin këtë platformë falas. Sistemi shërben edhe për ngarkimin e certifikatave të fiskalizimit. Nëse një subjekt i skadon certifikata 1-vjeçare ditët e fundit, biznesi mund të ngelet pa punë pasi nuk mund ta rinovojë atë.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila administron sistemin e-Albania, nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar lidhur me mosfunksionimin e sistemit. Megjithatë, burime të “Monitor” konfirmojnë se ata janë në dijeni të problemit dhe po punojnë për zgjidhjen e tij.
“Këto sistemet tona janë kthyer si në kohë lufte,” thotë me ironi një ekonomist.
Investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar ndjeshëm gjatë 6 viteve të fundit. Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u trefishua brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), krahasuar me rreth 3.3 miliardë lekë në vitin 2019. Në total, në katër vjet janë investuar 48.4 miliardë lekë, ose gati 500 milionë euro.
Megjithatë, gjatë dekadës së fundit, numri i punonjësve në administratë është shtuar me 20 mijë persona, duke arritur në 184 mijë punonjës, por bizneset vazhdojnë të mos gjejnë zgjidhje për problemet e tyre!
