Edi Rama mes 7 liderëve europianë më të besuar të italianëve

SONDAZHI: Edi Rama mes 7 liderëve europianë më të besuar të italianëve

Një sondazh i realizuar nga instituti italian Youtrend, i publikuar nga revista L’Espresso, e rendit kryeministrin Edi Rama mes 7 liderëve europianë më të besuar nga italianët.

Rama rezulton të ketë 29% besim nga votuesit italianë, duke u renditur pas liderëve si Pedro Sánchez, Friedrich Merz dhe Emmanuel Macron. Të dhënat e sondazhit e vendosin Ramën në nivel të njëjtë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përsa i përket nivelit të besimit nga votuesit italianë.

Kryeministri Rama ia kalon edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili arrin të marrë besimin e vetëm 14% të italianëve.

Në krye të renditjes qëndron kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, me 51% të besimit. Atë e ndjek kancelari gjerman Friedrich Merz me 35%, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, renditen me 34% secili.

Pas tyre vijnë Zelensky dhe Rama, të dy me 29%.

Arsyet e nivelit të lartë të besimit të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez mes votuesve italianë lidhen me qëndrimin e qeverisë spanjolle ndaj Shteteve të Bashkuara, politikat progresiste në fushën e punës dhe emigracionit, si dhe refuzimin për të rritur shpenzimet ushtarake pavarësisht kërcënimeve të Donald Trump.

Pas kërcënimeve të tjera nga Uashingtoni lidhur me çështjen e bazave ushtarake në Andaluzia, qeveria spanjolle ka kundërshtuar në mënyrë të fortë edhe operacionin ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

“Ai është flamurtari i progresistëve evropianë”, është shprehur Giovanni Diamanti nga Youtrend.

Instituti i analizës ka përgatitur për L’Espresso një sondazh mbi njohjen dhe popullaritetin e liderëve ndërkombëtarë në Itali. Këto ditë, slogani “no a la guerra” (“jo luftës”) i kryeministrit spanjoll është kthyer edhe në Itali në parullën e atyre që kundërshtojnë nismat ushtarake në Lindjen e Mesme.

Hezitimet e qarta ndaj Shtëpisë së Bardhë, e konsideruar një aleat gjithnjë e më pak i besueshëm, e kanë shndërruar Sánchez në një nga zërat kryesorë evropianë të anti-trumpizmit. Në këtë mënyrë, Madridi është kthyer në pikë referimi për ata që, ndonëse kundërshtojnë regjimin e ajatollahut Ali Khamenei, e konsiderojnë ofensivën e Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu si një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.

Scroll to Top