Një efektiv i komisariatit të policisë Krujë, i identifikuar si Elson Leka, është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) për akuzat e kultivimit të drogës dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas informacioneve, efektivi, i cili shërbente si oficer rendi në Fushë-Krujë, u arrestua në flagrancë nga AMP Rajoni Durrës – Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe DVP Tiranë. Operacioni u zhvillua nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Arrestimi erdhi në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”. Hetimet proaktive me metoda speciale dyshohet se kanë zbuluar se punonjësi i policisë, së bashku me vëllain e tij Ç. L. (i shpallur në kërkim), kanë qenë të pranishëm në një zonë pyjore në Njësinë Administrative Cudhi, Krujë. Aty janë konstatuar parcela me 65 bimë narkotike të dyshuara “Cannabis Sattiva”.
Gjatë përpjekjes për t’u larguar nga uniformat blu, efektivi dhe vëllai i tij i shpallur në kërkim kanë tentuar të shmangen kapjes. Gjatë kontrollit fizik, efektivit iu gjetën dy armë zjarri tip pistoletë të markës “TT” dhe një sasi fishekësh.
Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër fishekësh, të cilët u morën në cilësinë e provës materiale. Materialet e rastit u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.