Shtetasi shqiptar Amar Shkëmbi, i njohur edhe si D. Sh., është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në vitin 2022.
Shkëmbi akuzohet për vepra të rënda penale, duke përfshirë “Vrasja e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. N., si dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit A. M., dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit A. L. (P. M.). Ai gjithashtu akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, dyshohet se i kryer në bashkëpunim me shtetasit P. D., E. S., B. P., J. M. dhe R. R., në dëm të shtetasve A. N. dhe A. L. (P. M.). Këto vepra penale dyshohet se janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ai akuzohet gjithashtu edhe për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Hetimet dyshojnë se Amar Shkëmbi është i implikuar në ngjarjen e datës 01.11.2019, pranë mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur që lëviznin me automjet kanë qëlluar drejt automjetit ku ndodheshin shtetasit A. M., A. N. dhe A. L. Si pasojë, shtetasi A. M. humbi jetën, ndërsa shtetasit A. N. dhe A. L. u plagosën.