Ekzekutimi i Gilmando Danit: Paralajmërim nga burgu

Klodiana Lala: Shullazi e paralajmëroi nga burgu Gilmando Danin të bënte kujdes

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje rreth ekzekutimit makabër të Gilmando Danit, i cili ndodhi pak metra larg aeroportit. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Lala deklaroi se Shullazi e kishte paralajmëruar të besuarin e tij të tregonte kujdes për jetën, duke lënë të kuptohet se ai e kishte pasur informacion për rrezikun.

Sipas saj, Policia dhe prokuroria dyshojnë se, pavarësisht profilit të ulët publik, Gilmando Dani vazhdoi të ishte personi më besnik i Shullazit.

“Gilmando Dani kishte përfituar ulje dënimi dhe u lirua me kusht. Ai ishte dënuar me 12 vite për veprën penale të gjobëvëniës. Bëhet fjalë për ish-hotel Vollgën, ku Shullazi, përmes kërcënimeve, kishte përvetësuar 30% të pronës. Pati konflikt edhe për çështjen e zgjedhjes së rektorit të Universitetit të Tiranës.”

Gilmando Dani u lirua nga burgu i Rrogozhinës në tetor 2024. Pas lirimit, ai ruajti një profil të ulët dhe nuk u përfol në publik. Megjithatë, kundërshtarët e tij e konsideronin si përfaqësuesin e Shullazit. Ai ishte i tërhequr dhe thuhet se ishte në prag të martesës me një arkitekte. Jetoi kryesisht në Barcelonë.

“Në 15 vite, atij iu bënë dy atentate mafioze dhe pati një jetë shumë të trazuar. Vitin e fundit ishte tërhequr, por kundërshtarët, me sa duket, e kanë parë si përfaqësuesin e Shullazit. Policia dhe prokuroria dyshojnë se, pavarësisht profilit të ulët publik, ai vazhdoi të ishte njeriu më besnik i Shullazit. Para se të vritej, Shullazi, përmes njerëzve të tij të besuar, e kishte informuar të tregonte kujdes për jetën, por me sa duket Gilmando Dani nuk mori masat e duhura.”

Lala shpjegoi arsyet pse e konsideron këtë ngjarje mes më të rëndave:

“Për vendin ku ndodhi, pak metra larg terminalit VIP, jo më shumë se 200 metra nga hyrja kryesore. Është një vend që pretendon të ketë sigurinë më të lartë kombëtare. Të shohësh mënyrën se si vepruan, fakti që ishin tre ekzekutorë, tregon se e deshën me çdo kusht ta eliminonin. Dritat ishin fikur gjatë gjithë ditës, nuk kishte kamera në pjesën përkatëse, dhe ata ndoqën rrugë të sigurta për t’u larguar. Ishte bashkëpunim i disa grupeve kriminale, shumë i sofistikuar dhe në nivel shumë të lartë.”

Ajo shtoi se u shkëmbyen informacione me Barcelonën, pasi viktimës vinte nga atje, si dhe u kryen shoqërime të disa personave në zonën e Niklës dhe verifikime në Vlorë dhe Kamzë. Megjithatë, shoqërimet nuk dhanë rezultate të mëdha.

Scroll to Top