Elisa Spiropali kujton Ibrahim Rugovën në ditën e lindjes: “Nuk çirrej, nuk mburrej dhe nuk rrihte gjoksin!”
Në ditën e lindjes së ish-presidentit të Kosovës dhe kreut të LDK-së, Ibrahim Rugova, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka ndarë kujtime dhe vlerësime për të nëpërmjet një postimi në Facebook.
Spiropali thekson se 2 dhjetori do të mbahet mend gjithmonë si dita e lindjes së Rugovës dhe nënvizon virtytet, vlerat dhe rëndësinë e tij në politikën kosovare, shtetformimin dhe më gjerë.
Ajo shkruan se Rugova dallohej për karakterin e tij:
- “Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye.”
- “Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.”
- “Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi.”
Në lidhje me vlerat e tij si udhëheqës, ministrja vlerëson gurët e themelit që ai vuri në pavarësinë e Kosovës:
- “Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur.”
- “Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë.”
Në postimin e saj, Spiropali ndan edhe një reflektim personal nga fëmijëria:
“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd.”
Ajo vijon duke përshkruar më tej personalitetin e tij:
- “Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie.”
- “Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës.”
Në fund, ajo thekson lidhjen e pandarë mes Kosovës dhe Rugovës:
“Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar. Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.”
