Grupi rebel kolumbian ELN liron 28 persona të mbajtur peng që nga janari
Grupi rebel kolumbian ELN liroi të mërkurën 28 persona që i mbante peng që nga janari, pas një sulmi të gjerë kundër një grupi tjetër rebel, i cili vrau më shumë se 100 persona në një zonë kufitare me Venezuelën, njoftoi avokati i popullit.
Midis pengjeve të dorëzuar pranë një komisioni humanitar ishin pesë të mitur, thuhet në një deklaratë të kreut të organit të pavarur përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin e Amerikës Latine.
Sulmi i ELN-së (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) në fillim të vitit në departamentin e Catatumbo ishte më i përgjakshmi që kur presidenti Gustavo Petro mori detyrën dhe duket se ka varrosur negociatat e paqes që po zhvilloheshin me këtë organizatë.
Fotot që avokati ndau përmes platformës X tregojnë pengjet – 17 burra dhe 11 gra – “në gjendje të mirë shëndetësore”, përveç një personi të plagosur, duke pritur lirimin e tyre. Ata ishin ulur në karrige plastike në një qendër komunitare, duke dëgjuar përfaqësuesit e organizatës guerile, OKB-së dhe Kishës Katolike.
Gjithashtu u shfaq “Ricardo”, komandanti kryesor gueril në zonë, ndërsa në sfond shiheshin luftëtarë të ELN-së të veshur me uniformë, me fytyrat e mbuluara dhe pushkë automatike në duar.
“Ne po kërkojmë dhe shpresojmë për më shumë lirime,” komentoi avokati Iris Marín përmes platformës X.
ELN, organizata më e vjetër guerile në Amerikë, zhvilloi bisedime paqeje me qeverinë Petro për dy vjet, por ato u pezulluan për shkak të intensifikimit të sulmeve të saj.
Ekspertët dhe shërbimi i inteligjencës ushtarake kolumbiane theksojnë se organizata financohet përmes trafikut të drogës, shfrytëzimit të minierave të paligjshme dhe rrëmbimeve për shpërblim.
Kolumbia është vendi me prodhimin më të madh të kokainës hidroklorur në botë, sipas OKB-së.
