Fondi për emergjencat civile: Një pikë ujë në detin e madh të përmbytjeve
Fondet e destinuara për emergjencat civile po shënojnë një rritje, duke arritur rreth 5.8 miliardë lekë këtë vit (58 milionë euro), çka përfaqëson një rritje prej 45% krahasuar me vitin 2025. Megjithatë, duke pasur parasysh gamën e gjerë të përgjegjësive të këtij institucioni, këto fonde janë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat e shumta.
Sipas legjislacionit aktual për emergjencat civile, ky institucion ka këto detyra:
- Identifikon dhe vlerëson dëmet e shkaktuara nga fatkeqësi natyrore si tërmete, përmbytje, zjarre, rrëshqitje dherash, si dhe aksidente industriale.
- Harton planet kombëtare dhe vendore të mbrojtjes civile.
- Koordinon ndërhyrjet, duke marrë masa për evakuimin e popullsisë, strehimin emergjent dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës.
- Vlerëson dëmet njerëzore, materiale dhe ekonomike.
- Kordinon ndihmën humanitare dhe logjistike.
- Mbështet proceset e rikuperimit dhe rindërtimit pas fatkeqësive.
Të dhënat nga qeveria, të publikuara në Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Rreziqeve Klimatike, tregojnë se vetëm nga përmbytjet, dëmet e shkaktuara vendit në periudhën 1990–2023 arrijnë në 2.3 miliardë dollarë amerikanë. Kjo shifër është shumë herë më e lartë se fondet buxhetore të alokuara për parandalimin e tyre.
Në të njëjtin dokument theksohet se nevojiten të paktën 8–9 miliardë euro për të zbutur dëmet e mundshme nga rreziqet që sjellin ndryshimet klimatike. Qeveria shqiptare, nga buxheti i shtetit, alokon rreth 1.1 miliardë lekë në vit (12 milionë euro) për kanalet e kullimit dhe argjinaturat. Këto fonde, ndryshe nga të tjerat, realizohen në masën 100%.
Megjithatë, nevojat për infrastrukturën e kullimit duket se janë shumë më të larta se fondet e disponueshme, të cilat përbëjnë më pak se 1% të fondeve buxhetore për investime.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se fondet e vëna në dispozicion për emergjencat civile në katër vitet e fundit janë rreth 17 miliardë lekë (170 milionë euro). Megjithatë, këto fonde mbeten ende të ulëta për të përmbushur të gjitha nevojat e infrastrukturës së domosdoshme për të luftuar të gjitha llojet e fatkeqësive natyrore.
Përmbytjet, daljet e lumenjve nga shtrati, rrëshqitjet e dherave, si dhe dëmtimet e infrastrukturës urbane dhe bujqësore, shpesh shkaktojnë humbje ekonomike që tejkalojnë disa herë fondet vjetore të alokuara për parandalim, mbrojtje dhe rehabilitim.
Edhe me rritjen e buxhetit për vitin 2026, ai mbetet i pamjaftueshëm për t’u orientuar drejt investimeve afatgjata në infrastrukturë dhe menaxhimin e rrezikut klimatik. Në të njëjtën kohë, kompensimi i dëmeve kërkon një angazhim financiar shtesë.
Në nivel global, dëmet ekonomike totale nga katastrofat klimatike arritën rreth 328 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2024, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin 2023, sipas të dhënave nga OECD. Në Bashkimin Europian, analizat e fundit tregojnë se dëmet ekonomike vjetore nga rreziqet klimatike janë rritur ndjeshëm, me rreth 45 miliardë dollarë në vit.
