Emigracioni Shqiptar në BE: Shqipëria kryeson sipas popullsisë

Harta e emigracionit në Europë: Ku renditet Shqipëria

Ndonëse Shqipëria është një nga shtetet më të vogla të Europës, shtetasit e saj janë të shpërndarë nëpër vendet e Bashkimit Europian. Ata përbëjnë një nga kombësitë kryesore mes shtetasve të vendeve jo anëtare të BE-së, që janë rezidentë në Union.

Nëse krahasohet me madhësinë e popullsisë, Shqipëria kryeson listën në Europë, duke treguar përmasa të mëdha emigracioni.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për vitin 2024, shtetasit shqiptarë renditen në vendin e 11 në grafikun e kombësive kryesore të shtetasve jo të BE-së, rezidentë në BE, në vlerë absolute.

Rreth 550 mijë shqiptarë jetojnë në vendet e BE-së, kryesisht në Itali. Megjithatë, siç theksohet në legjendën e grafikëve, mungon Greqia, ku sipas të dhënave të ndryshme jetojnë të paktën edhe 500 mijë shqiptarë.

Nëse llogaritet në nivelin e mbi 1 milion banorëve, Shqipëria do të renditej në vend të katërt për numër absolut, pas shtetasve të Ukrainës, Turqisë dhe Marokut.

Por, nëse emigracioni llogaritet në bazë të popullsisë së mbetur në vendin e origjinës, Shqipëria merr vendin e parë absolutisht, edhe pa përfshirë të dhënat nga Greqia.

Me rreth 550 mijë shtetas në BE dhe një popullsi totale prej 2.36 milion banorë, Shqipëria arrin një shifër prej rreth 230 shtetas për 1,000 banorë. Kjo është një shifër shumë më e lartë se çdo vend tjetër.

Edhe pa përfshirë Greqinë, ky tregues e vendos Shqipërinë dukshëm mbi vendet e tjera të rajonit, si Kosova (218), Maqedonia e Veriut (107), Bosnja dhe Hercegovina (125) apo Serbia (68). Këto vende shfaqin nivele të larta emigracioni, por më të ulëta se Shqipëria.

Nëse përfshihet edhe Greqia, ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, pesha e emigracionit për 1,000 banorë rritet edhe më shumë, duke arritur në 466 emigrantë për 1,000 banorë. Kjo do të thotë se afërsisht 1 në 2 shqiptarë jeton në BE, duke e vendosur vendin në krye të listës në raport me popullsinë.

Diferencat janë të theksuara në raport me shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, për shkak të popullsisë së lartë që këto vende kanë në origjinë.

Për Ukrainën, Eurostat raporton rreth 2.6 milion shtetas rezidentë në BE. Por duke u krahasuar me një popullsi prej rreth 39 milion banorë, kjo përkthehet në rreth 67 shtetas për çdo 1,000 banorë.

Në rastin e Turqisë, me rreth 1.7 milion shtetas në BE dhe një popullsi prej rreth 85 milion, pesha bie në rreth 20 për 1,000 banorë. Ndërsa për Marokun, me rreth 1.5 milion shtetas në BE dhe një popullsi prej rreth 37 milion, niveli është rreth 41 për 1,000 banorë.

Ky krahasim tregon se, edhe pse grafiku i Eurostat e rendit Shqipërinë jashtë “top 10” në numër absolut, ajo kryeson kur shifrat normalizohen me popullsinë. Kjo reflekton një emigracion me përmasa shumë të mëdha për një vend të vogël, ndoshta unik në botë, siç tregon qartë dhe raporti me madhësinë e popullsisë.

Scroll to Top