Emigrantët dërgojnë rekord 817 milionë euro në Shqipëri

Paratë e dërguara nga emigrantët në atdhe arrijnë një rekord prej 817 milionë eurosh në janar-shtator.

Paratë që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri vijojnë të kenë një tendencë rritjeje, duke pasqyruar ciklin e ri të emigracionit në vend. Të dhënat nga bilanci i pagesave i Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga emigrantët arritën në 817 milionë euro gjatë periudhës janar-shtator 2025, duke shënuar një rritje prej 5.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ritmet e rritjes u përshpejtuan në tremujorin e tretë, periudhë kjo që tradicionalisht ka flukse më të larta hyrëse, pasi emigrantët vizitojnë Shqipërinë gjatë pushimeve verore. Gjatë muajve korrik-shtator 2025, emigrantët dërguan tek të afërmit e tyre në vendlindje 285 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 8.8% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Që nga viti 2013, shumën e parave që emigrantët sjellin në Shqipëri është rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, i cili ka filluar kryesisht pas vitit 2015. Pas një rënieje në vitin 2020, si pasojë e pandemisë, tendenca rritëse u përshpejtua ndjeshëm. Gjatë 9 muajve të parë të 2024-ës, për herë të parë u tejkalua kufiri prej 800 milionë eurosh. Me ritmet aktuale, viti mund të mbyllet me nivele rekord prej mbi 1 miliardë euro (në tremujorin e fundit të 2024-ës prurjet ishin 273 milionë euro).

Emigrantët e rinj duket se nuk largohen pa i mbajtur parasysh të afërmit e tyre, duke u kujdesur për familjarët që kanë lënë në Shqipëri. Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm në periudhën 2022-2023 u lëshuan gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Që nga viti 2008, periudha kur Eurostat raporton të dhëna, rreth 920 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë, duke përbërë një potencial për dërgimin e parave tek të afërmit që kanë lënë në Shqipëri.

Aktorët e tregut pohojnë se kanalet kryesore të dërgimit të parave vijojnë të jenë vendet tradicionale të emigracionit, si Greqia dhe Italia. Megjithatë, vitet e fundit është vënë re një rritje edhe nga destinacionet e reja, si Anglia dhe Gjermania.

Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korrente në bilancin e pagesave, në përputhje me standardet e FMN-së (BPM6). Ato përfshijnë të gjitha prurjet monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale (bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave), ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë përdor të dhënat e sistemit bankar, raportimet periodike të subjekteve të licencuara dhe anketa specifike tek familjet përfituese, duke synuar të mbulojë të gjithë fluksin real të remitancave në ekonomi.

Scroll to Top