Emigrantët shqiptarë fitojnë paga mesatarisht 3 herë më të larta jashtë vendit krahasuar me Shqipërinë.
Emigrimi shoqërohet me një përmirësim të ndjeshëm të të ardhurave, sidomos për sa i përket pagave. Sipas Anketës së zgjeruar mbi emigracionin, rezultatet e së cilës u publikuan në dhjetor 2025, para largimit paga mesatare mujore e emigrantëve ishte rreth 584 dollarë. Pas migrimit, situata ndryshon rrënjësisht.
Pagat e emigrantëve jashtë vendit rriten ndjeshëm, duke arritur mesatarisht rreth 1,754 dollarë në muaj, gati trefishi i nivelit para migrimit. Të dhënat tregojnë se burrat migrantë përfitojnë paga më të larta se gratë (1,789 kundrejt 1,558 dollarëve), por edhe për gratë migracioni sjell një përmirësim të madh krahasuar me situatën e tyre para largimit.
Kjo tregon se tregjet e huaja të punës ofrojnë mundësi më të mira pagese për emigrantët shqiptarë, megjithëse hendeku gjinor mbetet i pranishëm edhe jashtë vendit.
Anketa ka gjetur se shqiptarët nisen drejt emigracionit nga një pozicion relativisht i dobët në tregun vendas të punës, me paga më të ulëta dhe mundësi të kufizuara avancimi. Kjo i shtyn drejt tregjeve ku kërkesa për punë është më e lartë dhe pagat janë dukshëm më konkurruese, veçanërisht në sektorë si ndërtimi, bujqësia, shërbimet, kujdesi shëndetësor dhe industria përpunuese.
Emigrantët shpesh pranojnë punë që vendasit nuk i preferojnë, por që paguhen më mirë se alternativat në Shqipëri.
- Për burrat ka mundësi më të shpejta punësimi dhe të ardhura më të larta, pasi ata janë më të pranishëm në sektorë me kërkesë të fortë dhe me më pak barriera hyrëse.
- Gratë, ndonëse përfitojnë nga rritja e pagave, hasin më shumë vështirësi në hyrjen në tregun e punës, sidomos në fazat e para të migrimit. Punësimi i grave emigrante lidhet me rolet tradicionale gjinore dhe barrën e kujdesit familjar. Shumë gra emigrojnë në kuadër të ribashkimit familjar dhe jo domosdoshmërisht për punë, gjë që vonon ose kufizon integrimin e tyre në tregun e punës.
Në vendet pritëse ka disa sektorë me punësim të lartë për emigrantët, sidomos për burrat, të cilët gjejnë më lehtë punë në sektorë fizikisht të rëndë dhe me kërkesë të vazhdueshme, ndërsa gratë përqendrohen në shërbime ose në kujdesin në shtëpi.
Për ekonominë shqiptare, migracioni mbetet një kanal i rëndësishëm për rritjen e të ardhurave dhe transfertave dhe shtron nevojën për rritjen e produktivitetit të punës brenda vendit.
