Mjekët e Shqipërisë dhe rajonit po emigrojnë drejt Gjermanisë, ja shifrat
Sistemi shëndetësor në Shqipëri dhe në Ballkan po përballet me një rrezik të konsiderueshëm për shkak të mungesës së personelit, veçanërisht të mjekëve, pasi një numër i madh prej tyre po zgjedhin të emigrojnë.
Një studim i fundit i zhvilluar në Gjermani mbi emigrimin nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka nxjerrë në pah se, deri në vitin 2023, rreth 30% e personelit shëndetësor nga Shqipëria emigruan drejt Gjermanisë. Vendet e tjera të Ballkanit, si Bosnja dhe Kosova, rezultojnë të jenë edhe më të prekura sipas këtij studimi.
Në vitin 2023, numri i shtetasve nga Kosova që punonin në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor ishte i barabartë me 50.3% të fuqisë punëtore vendase të kujdesit shëndetësor. Për Bosnjën dhe Hercegovinën, shifra përkatëse ishte 42.5%, për Maqedoninë e Veriut 9%, Malin e Zi 13.9% dhe për Serbinë 7.2%.
Midis viteve 2015 dhe 2024, punësimi i shtetasve nga Ballkani Perëndimor në sektorin shëndetësor të Gjermanisë është rritur mesatarisht me 27.2% në vit. Për Shqipërinë, kjo rritje arrin në 17% çdo vit.
Gjatë kësaj periudhe, presionet migratore mbi sektorin e kujdesit shëndetësor në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë shtuar. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se popullsia mbi moshën 75 vjeç pritet të rritet ndjeshëm në rajon, ndërsa popullsia në moshë pune pritet të bjerë. Këto zhvillime do të çojnë në një rritje të kërkesës për kujdes shëndetësor si në Ballkan ashtu edhe në Shqipëri.
Sistemët e kujdesit shëndetësor në Ballkanin Perëndimor po tregojnë shenja tendosjeje. Kjo u ilustrua edhe gjatë pandemisë COVID-19, ku të gjitha vendet e Ballkanit regjistruan shkallë vdekshmërie mbi mesataren globale.
Një tjetër tregues i tendosjes sistemike të sistemeve shëndetësorë është numri i ulët i mjekëve në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2024), Shqipëria ka më pak mjekë për frymë në Evropë. Në Maqedoninë e Veriut, numri i mjekëve për frymë madje ka rënë, pjesërisht për shkak të emigrimit të mjekëve jashtë vendit.
Studimi gjerman thekson se emigrimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor përkeqëson drejtpërdrejt ngarkesën, pasi mungesat përkthehen në kohë më të gjata pritjeje, mungesë shërbimi në zonat rurale dhe ngarkesë më e madhe pune për mjekët e mbetur.
