Talentet shqiptare po i tërheq Europa, Gjermania kryeson me mbi 5400 karta blu në një dekadë
Europa po tregon një vlerësim në rritje për talentet shqiptare, duke dhënë gjithnjë e më shumë karta blu. Karta blu është një leje pune dhe qëndrimi e destinuar për individë me kualifikime të larta nga vende të treta të Bashkimit Europian (BE). Sipas të dhënave të Eurostat, që nga viti 2014 e deri më sot, shtetasve shqiptarë u janë dhënë gjithsej 5405 karta blu.
Vërehet një rritje e ndjeshme e dhënies së këtyre lejeve duke filluar nga viti 2019, periudhë kjo që përkoi edhe me një valë masive emigracioni, por këtë herë të personave me kualifikim të lartë. Në vitin 2023 u lëshuan 825 karta blu, ndërkohë që në vitin 2024 numri ra në 592. Krahasuar me vitet e mëparshme, rritja është mbresëlënëse. Në vitin 2012 ishin dhënë vetëm 15 karta të tilla, ndërsa në vitin 2021, i cili mban rekordin deri më tani, shifra arriti në 882.
Rritja e konsiderueshme e dhënies së kartës blu për shqiptarët lidhet drejtpërdrejt me angazhimin e Gjermanisë. Në vitin 2021, ky shtet lëshoi 823 karta blu për shtetas shqiptarë, duke zënë 93% të totalit të dhënë nga vendet e BE-së. Në vitin 2023, Gjermania miratoi 716 leje të tilla, duke përfaqësuar 87% të totalit, dhe në vitin 2024 numri ra në 513, ende 87% e totalit. Përfituesit e kartës blu në Gjermani duhet të kenë një pagë minimale prej 43,000 euro në vit (rreth 3,600 euro në muaj), kriter ky minimal për aplikim.
Në vend të dytë për numrin e kartave blu të dhëna për shqiptarë renditet Italia, por me shifra shumë më të ulëta krahasuar me Gjermaninë (23 në 2022, 41 në 2023 dhe 20 në 2024). Austria pozicionohet pas Italisë (11 në 2022, 30 në 2023 dhe 18 në 2024). Polonia është gjithashtu një destinacion irheqës për talentet shqiptare, duke dhënë 11 karta blu në vitin 2023 dhe 13 në 2024.
Gjermania është kthyer në një magnet për profesionistët shqiptarë vitet e fundit, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë. Kjo tendencë është nxitur nga mundësitë për punësim në ekonominë më të madhe të Europës, pagat joshëse dhe zbutja e kritereve nga ana e Gjermanisë, e cila përballet me mungesë të fuqisë punëtore për shkak të plakjes së popullsisë.
Ndërkohë që talentet largohen, Shqipëria po e ndien gjithnjë e më shumë këtë fenomen. Një raport i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tregon se rreth 23% e personave të arsimuar nga Shqipëria tashmë kanë emigruar. Vendit i përket një nivel i lartë emigracioni të të arsimuarve në vitet 2023-2024, me kthime të ulëta krahasuar me 38 vende të tjera të Rajonit të BERZH. Gjithashtu, në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve 2025, Shqipëria ka rënë me 7 vende, duke u renditur në vendin e 63-të, çka tregon përkeqësim në zhvillimin e aftësive, cilësinë e arsimit dhe mbajtjen e profesionistëve.
Kartat blu në BE
- Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, në vitin 2023 u lëshuan rreth 89,000 Karta Blu në nivel BE.
- Gjermania mbeti vendi dominues, duke lëshuar rreth 69,000 leje (78% e totalit).
- Pas saj renditen Polonia me rreth 7,000 dhe Franca me rreth 4,000 leje.
- Shtetasit e Indisë vazhdojnë të jenë përfituesit kryesorë, të ndjekur nga Rusia, Turqia dhe Bjellorusia.
Çfarë është Karta blu
Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi për shtetas jo anëtarë të BE-së me kualifikime të larta profesionale, që synon të tërheqë specialistë të huaj në profesione të kërkuara. Ajo ofron kushte të favorshme, përfshirë të drejtën e bashkimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësi qëndrimi afatgjatë. Për të përfituar, nevojitet një kontratë pune me pagë minimale të përcaktuar dhe kualifikime universitare. Pragjet minimale të pagës ndryshojnë sipas vendit dhe sektorit, por zakonisht përfaqësojnë një përqindje të pagës mesatare bruto. Për shembull, në Gjermani për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe 43,759.80 euro për profesionet me mungesë të theksuar si IT, inxhinieri dhe kujdes shëndetësor.
Profesionet me prioritet të lartë për Kartën Blu të BE-së përfshijnë:
- Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)
- Inxhinieri
- Mjekësi dhe kujdes shëndetësor
- Shkencat natyrore dhe matematika
- Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor
- Financa dhe kontabiliteti
Burimi: Eurostat
