Emigrimi në Shqipëri: 44% synojnë largim në 2025

44% e shqiptarëve synojnë të emigrojnë në vitin 2025, niveli më i lartë në rajon

Në vitin 2025, Shqipëria shfaqet si vendi me përqindjen më të lartë të dëshirës për emigrim në Rajon, sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit. Plot 44% e të anketuarve deklaruan se do të dëshironin të jetonin ose të punonin jashtë vendit. Kjo përqindje e vendos Shqipërinë mbi mesataren rajonale dhe mbi të gjitha ekonomitë e tjera të përfshira në sondazh, duke u barazuar me Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, Kosova dhe Bosnja paraqesin nivele disi më të ulëta të dëshirës për emigrim, me 35% dhe 34% respektivisht. Megjithatë, këto përqindje mbeten të larta në krahasim me shtetet e tjera të Europës.

Shqipëria dallohet nga Rajoni jo vetëm për intensitetin e prirjes drejt emigrimit, por edhe për thellësinë dhe natyrën afatgjatë të këtij fenomeni. Situata është më shqetësuese duke marrë parasysh se Shqipëria, së bashku me Serbinë, kanë përqindje të larta të popullatës që synon të largohet përgjithmonë, pa plane kthimi. Në Shqipëri, kjo përqindje arrin 18%, duke treguar se për shumë qytetarë emigrimi konsiderohet një zgjidhje përfundimtare për jetën.

Arsyet kryesore që Shqipëria kryeson rajonin lidhen ngushtë me faktorë ekonomikë dhe socialë. Dallimet e mëdha në paga dhe standard jetese me vendet e Bashkimit Europian mbeten një shtysë e fortë, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. Këto dallime, të kombinuara me mundësitë e kufizuara brenda vendit për punë cilësore dhe zhvillim profesional, krijojnë bindjen se progresi personal dhe ekonomik është më i arritshëm jashtë vendit.

Emigrimi i fortë në të kaluarën po bëhet një bazë për rritjen e largimeve në të ardhmen. Rrjetet e konsoliduara të emigracionit shqiptar, të ndërtuara ndër vite, luajnë një rol të rëndësishëm duke e bërë më të lehtë tërheqjen e familjarëve.

Për shkak të emigracionit të lartë, popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta, gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të Rajonit, sipas të dhënave të azhurnuara nga Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate. Në vitin 2025, popullsia zyrtare e Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë, me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti. Në terma relativë, rënia ishte –1.2%, shkalla më e lartë në rajon.

Tkurrja e fortë në grupmoshën deri në 30 vjeç vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë, i cili vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë. Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç, që përfaqëson grupin e të rinjve aktivë në emigrim, u tkurr me 45% midis viteve 2011 dhe 2025. Gjithashtu, Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit, me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindje, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit dhe ndër më të ulëtat në Europë.

Burimi: Barometri i Ballkanit 2025

Scroll to Top