Eurostat: Pas pandemisë, 180 mijë persona kanë emigruar nga Shqipëria në 4 vjet (pa përfshirë Greqinë)
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, rreth 44 mijë shqiptarë kanë emigruar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Megjithatë, ky numër shënon një rënie krahasuar me periudhën 2022-2023, kur emigracioni nga Shqipëria arriti nivelet më të larta të dekadës, me rreth 50 mijë persona në vit. Ritmet e emigracionit mbeten më të larta në krahasim me periudhën para pandemisë, me përjashtim të vitit 2015, i cili shënoi një rekord kërkesash për azil dhe fillimin e një cikli të ri emigracioni.
Duhet theksuar se këto statistika nuk përfshijnë Greqinë, e cila vazhdon të jetë një destinacion kryesor për emigrantët shqiptarë.
Që nga viti 2010, numri i shqiptarëve të regjistruar si emigrantë të rinj në vendet e BE-së ka arritur në 460 mijë, duke treguar një cikël të ri masiv emigracioni në raport me popullsinë e vendit. Popullsia e Shqipërisë ka zbritur në 2.36 milionë banorë, nga 2.8 milionë në vitin 2011.
Vetëm në periudhën 4-vjeçare pas pandemisë (2021-2024), të paktën 180 mijë persona kanë emigruar nga Shqipëria. Ky numër nuk përfshin të dhënat nga Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, ku pati gjithashtu një valë të konsiderueshme emigrimi që kulmoi në vitin 2022.
Sipas Eurostat, destinacioni kryesor për emigrantët shqiptarë në vitin 2024 ishte Italia, me rreth 28 mijë persona, krahasuar me 29-30 mijë dy vitet paraardhëse. Gjermania renditet e dyta, duke u shndërruar në një magnet për profesionistë, sidomos mjekë, infermierë dhe specialistë të teknologjisë së informacionit, me rreth 12 mijë emigrantë të regjistruar në 2024.
Statistikat e përgjithshme të emigracionit në BE (2024):
- Rreth 4.2 milionë emigrantë mbërritën në BE nga vende jashtë BE-së.
- 1.5 milionë persona u zhvendosën nga një shtet anëtar i BE-së në një tjetër.
- Këto shifra nuk përfshijnë refugjatët nga Ukraina.
- Rreth 3.2 milionë persona emigruan drejt vendeve brenda ose jashtë BE-së.
- Rreth 1.6 milionë persona u raportua se u larguan nga një shtet i BE-së për të emigruar jashtë saj.
Për krahasim, në vitin 2023, rreth 4.4 milionë emigrantë mbërritën në BE nga vende jashtë saj dhe 1.5 milionë u zhvendosën midis vendeve anëtare. Po atë vit, rreth 1.5 milionë persona emigruan nga BE drejt vendeve të tjera.
Në shumicën e vendeve të BE-së, numri i emigrantëve nga vende jashtë BE-së në 2024 ishte më i lartë se ai i emigrantëve nga vendet e tjera anëtare. Përjashtim bënë Luksemburgu (85.5% emigrantë nga vende të tjera të BE-së) dhe Rumania (56.0%). Përqindjet më të larta të emigrantëve nga vende jashtë BE-së u regjistruan në Çeki (87.0%), Itali (86.2%) dhe Spanjë (84.5%).
