Erdogan kundër LGBTQ+ për shkak të rënies së lindshmërisë në Turqi

Erdogani ngre alarmin: Lindshmëria në Turqi ka rënë, do të merren masa kundër komunitetit LGBTQ+

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka sulmuar ashpër komunitetin LGBTQ+, duke e cilësuar si “perverse” dhe duke paralajmëruar për rrezikun e madh të rënies së lindshmërisë në Turqi.

Duke e lidhur drejtpërdrejt uljen e numrit të lindjeve me “ndikimet e huaja”, Erdogan deklaroi: “Do të marrim të gjitha masat e nevojshme kundër perverseve dhe rrjeteve të tilla si LGBTQ+. Nuk do të lejojmë as më të voglin kompromis, as lëshim apo dobësim.”

Në fjalimin e tij, presidenti turk theksoi me shqetësim: “Gratë tona lindin shumë pak fëmijë, po përjetojmë një katastrofë të vërtetë.” Ai shtoi se ritmi i rritjes së popullsisë turke po bie ndjeshëm dhe se shkalla e fertilitetit ka zbritur nën nivelin e vetë-riprodhimit të popullsisë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti Turk i Statistikave (TÜİK), shkalla totale e fertilitetit vitin e kaluar ishte vetëm 1,48 fëmijë për grua – shumë poshtë nivelit 2,10 që nevojitet për të mbajtur popullsinë stabile.

“Kambanat e alarmit po bien fort për të ardhmen tonë. Kushdo që e do të ardhmen e këtij vendi nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj kësaj,” përfundoi Erdogan.

Scroll to Top