Erdoğan-Putin bisedë për paqen në Ukrainë

Erdogan do të zhvillojë bisedë telefonike me Putinin ditën e nesërme, në fokus lufta në Ukrainë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se të hënën do të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Këtë informacion ai e bëri të ditur gjatë një konference për shtyp në Samitin e Liderëve të G20-s në Johanesburg.

“Nesër do të kem një bisedë telefonike me Putinin”, tha Erdoğan, duke theksuar: “Do të bëjmë çfarë të mundemi për të hapur rrugën drejt paqes.”

Duhet theksuar se nuk ka pasur bisedime ballë për ballë mes Kievit dhe Moskës që nga takimi i zhvilluar në Stamboll në korrik. Përpjekjet për ringjalljen e bisedimeve të paqes duket se po fitojnë terren, edhe pse Moska ende nuk ka dhënë ndonjë shenjë të ndryshimit të kushteve të saj për përfundimin e luftës.

Presidenti turk ishte takuar të mërkurën e kaluar (19 nëntor) edhe me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, ku diskutuan mundësinë e ringjalljes së bisedimeve të paqes mes Moskës dhe Kievit.

“Ne besojmë se do të ishte e dobishme të riaktivizohej procesi i Stambollit me një qasje më gjithëpërfshirëse që adreson problemet reale”, deklaroi Erdoğan, duke shtuar se Ankaraja është e gatshme të diskutojë me Rusinë propozime që mund të çojnë në një paqe të qëndrueshme dhe se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në këtë proces.

Scroll to Top