Hasimja: Binaj më mori në telefon dhe më kërkoi mbështetje
Florjan Binaj dhe Ermal Hasimja janë bashkuar për garën për Tiranën. Njëri është kandidat zyrtar, ndërsa tjetri mbeti në tentativë.
“Florjani më mori në telefon dhe më kërkoi që ta mbështesja. Pasi kemi të njëjtat objektiva, vlera dhe parime, jam i gatshëm ta mbështes. Nuk ka rëndësi nëse jam unë, Flori apo dikush tjetër. Prioriteti kryesor është që Tirana të ndryshojë për mirë”, deklaroi Ermal Hasimja për Top Channel.
Lidhur me rolin e tij në fushatën e aktorit të humorit, i cili synon të bëhet kryetar i Bashkisë, Hasimja theksoi se ende po krijohen grupet e punës.
“Është vështirë të thuhet tani. Një grup do merret me strategjinë, një grup me organizimin, strukturimin e fushatës, logjistikën, etj. Kontributi im më natyrshëm do ishte tek pjesa e strategjisë dhe programit. Për aq kohë sa do të kërkohet ndihma dhe mbështetja ime, do të jem plotësisht i gatshëm t’ia ofroj”, tha Hasimja.
Ndërkohë, ai ka dhënë edhe këshilla për Binajn:
- “I kam thënë që natyrisht duhet të përpiqet të mbledhë mendimet më të mira nga njerëzit që mund ta ndihmojnë në formulimin e programit dhe mesazhit, kjo është kryesorja.”
- “Pjesa tjetër ka të bëjë me angazhimin e partive, që secila parti të angazhojë burimet e veta njerëzore për të zbatuar në terren atë që është në strategji.”
Një ditë më parë, Florian Binaj u shfaq publikisht në një tryezë me përfaqësues të spektrit opozitar. Megjithatë, ai ka vendosur t’i mbajë larg fushatës liderët e partive, përfshirë Sali Berishën.
“Për mua nuk ka shumë rëndësi, për aq kohë sa partitë politike kanë dhënë mbështetjen për fushatën e tij. Nuk ka rëndësi nëse i jep dorën apo jo, nëse del në foto. Mbështetja është dhënë. Një gjë është e sigurt: ai është kandidat i pavarur, që do marrë mbështetjen e partive politike, por pa qenë kandidat i një partie politike”, përfundoi Hasimja.
Gjykata Kushtetuese pezulloi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë deri në vendimin e saj përfundimtar më 31 tetor. Megjithatë, edhe pse beteja për kryeqytetin është ngritur në pritje, kandidatët e të dy kampeve kanë filluar lëvizjet për mbledhjen e votave.
