ANALIZA/ A është dollari i dobët rrezik për Europën?
Euro kundrejt dollarit amerikan është në nivelet më të larta që nga viti 2021, duke pasur efekte për sipërmarrjet dhe konsumatorët europianë. A duhet të ndërhyjë Banka Qendrore Europiane (BQE)?
Dollari amerikan po vazhdon të humbasë vlerën kundrejt monedhave të tjera të rëndësishme, duke ndjekur kështu një tendencë të nisur prej kohësh. Vitin e kaluar, monedha amerikane shënoi humbjen më të fuqishme që prej gati një dekade. Rënia kundrejt një grupi monedhash të tjera përbëri rreth 10 për qind. Që nga fillimi i vitit aktual, rënia ka qenë edhe me 2,6 për qind të tjera.
Humbja e vlerës së dollarit ka pasoja ndaj euros dhe monedhave të tjera. Monedha e përbashkët europiane për herë të parë që nga viti 2021 ka arritur vlerën e 1,20 dollarëve amerikanë. Edhe paundi britanik dhe yeni japonez janë rritur kundrejt dollarit në nivelet më të larta.
Disa ekonomistë dhe analistë i shpjegojnë humbjet e vazhdueshme të vlerës së dollarit me mungesën e besimit të investitorëve tek monedha amerikane, sepse paparashikueshmëria e politikës së presidentit Donald Trump vazhdon të japë shkas për shqetësime. Ka edhe një tjetër këndvështrim, sipas të cilit vetë Trump dhe shumë pjesëtarë të ekipit të tij për ekonominë dëshirojnë një humbje vlere të dollarit, me shpresën që eksportet nga SHBA të jenë me çmime më të favorshme dhe në këtë mënyrë të rritet aftësia e konkurrencës. Trump nuk është përpjekur ta hedhë poshtë këtë hamendësim. Përkundrazi, kur u pyet këtë javë nëse shqetësohet për dollarin e dobët, ai u përgjigj: “Jo, kështu është shumë mirë.”
Stephen Miran, ish-kryetar i shtabit të këshilltarëve ekonomik të Trumpit dhe tani anëtar i këshillit administrativ të Bankës së Rezervave të SHBA-së (Fed), në nëntor të vitit të kaluar publikoi një “Udhëzues për ristrukturimin e sistemit global të tregtisë”. Doganat dhe zhvleftësimi i dollarit u paraqitën si instrumenta të rëndësishme për ta ulur deficitin tregtar të SHBA-së.

Ndërtesa e selisë së Bankës Qendrore Europiane në Frankfurt dhe një skulpturë e simbolit të euros përpara godinës.
Nisur nga kursi aktual i këmbimit dhe forcimi i euros kundrejt dollarit, sipas ekspertëve ende nuk është e nevojshme ndërhyrja e Bankës Qendrore Europiane.
Përse e prek kjo Europën?
Dobësimi i dollarit ka efekt jo vetëm ndaj ekonomisë së SHBA-së, por ka edhe pasoja për ekonominë e eurozonës dhe për euron. Monedha e përbashkët ka fituar 13 për qind vlerë kundrejt dollarit – rritja më e fuqishme që nga viti 2017. Forcimi i euros luan “një rol të rëndësishëm për rendimentin ekonomik, tregun e punës dhe gjendjen financiare të buxheteve” në BE, thotë Jack Allen-Reynolds, zëvendës-kryeekonomist për eurozonën në Capital Economics.
“Një euro më e fuqishme ul aftësinë konkurruese të eksporteve, gjë që dëmton prodhuesit në rajon”, thotë për DW Allen-Reynolds. “Nga ana tjetër, importet janë më të lira, çka çon në uljen e çmimeve për konsumatorët.”
Ricardo Amaro, kryeekonomist për eurozonën në Oxford Economic, tërheq vëmendjen se një rritje e mëtejshme e euros kundrejt dollarit mund të prekë gjithnjë e më shumë aftësinë konkurruese të sipërmarrjeve europiane, të cilat eksportojnë në SHBA. Kjo vërtetë kompensohet nga çmimi i favorshëm i produkteve të SHBA-së në Europë, sipas Amaros. Por në përgjithësi, kursi aktual i këmbimit, nëse mbetet kështu, do të kishte efekt negativ ndaj rritjes ekonomike në Europë.
“Sipas llogarive tona, produkti bruto i vendit të eurozonës sivjet do të ishte rreth 0,2 për qind më i ulët, nëse kursi i këmbimit euro-dollar mbetet në nivelin aktual (1,20 USD), në vend të normës 1,16 dollar, që ka shërbyer si pikë reference në marrëveshjen e tregtisë BE-SHBA në fund të korrikut”, thotë Amaro për DW.
A duhet të ndërhyjë BQE?
Rritja e euros kundrejt dollarit ka nxitur spekulimet nëse është e nevojshme ndërhyrja e Bankës Qendrore Europiane. Martin Kocher, guvernator i Bankës Qendrore të Austrisë, e konsideron rritjen aktuale të euros si të “moderuar”. Nëse vlera e euros do të vazhdojë të rritet, duhet të ndërhyjë BQE-ja.
Qysh tani, BQE përpiqet të influencojë pritshmëritë e tregut, kur përfaqësuesit e nivelit të lartë të BQE-së deklarojnë se “po e vëzhgojnë situatën dhe shprehin rezerva lidhur me zhvillimet e fundit”, thotë Ricardo Amaro. “Kjo shtron temën e uljes së interesave për të frenuar rritjen e euros.”
Edhe Jack Allen-Reynolds mendon se nuk është e nevojshme ndërhyrja me nivelin aktual të ndryshimeve në kurset e këmbimit. Por ai beson se ndryshime të mëtejshme mund ta venë në lëvizje BQE-në që gjatë vitit të ulë interesat.
Ndërsa Zsolt Darvas argumenton se pasojat aktuale lidhur me inflacionin janë gati zero dhe asnjë sektor nuk është veçanërisht i ndjeshëm. “Kurset e këmbimit dekadat e fundit kanë pasur luhatje të fuqishme. Sipërmarrjet janë përgatitur për të përballuar luhatje edhe më të forta se këto që shohim aktualisht”, vlerëson Darvas.
