Euro arrin nivele historike duke zbritur nën 94.9 lekë
Euro ka vijuar trendin e rënies edhe këtë javë, duke arritur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 94.89 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi Euro-Lek ka pësuar një rënie prej rreth 1.9% që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa në bazë vjetore rënia ka arritur në 3.2%.
Agjentët e këmbimit valutor theksojnë se fillimi i sezonit veror ka sjellë një rritje të pritshme të ofertës në tregun valutor. Ky faktor ka shtuar presionet për zhvlerësimin e Euros, presione të cilat ishin të pranishme që në tremujorin e parë të vitit.
Përveç turizmit, një ndikim të konsiderueshëm besohet se kanë edhe flukset valutore të lidhura me investimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit, pesha e investimeve në pasuri të paluajtshme në strukturën e investimeve të huaja direkte arriti në 43%, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte u rritën përsëri në tremujorin e parë të vitit 2026. Ato arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë. Investimet e huaja janë rritur me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në veçanti, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohet të kenë arritur në 174 milionë euro, duke shënuar gjithashtu një rekord të ri historik për tremujorin e parë të vitit.
Sektori i pasurive të paluajtshme besohet se tërheq brenda vetes edhe sasi të konsiderueshme të të ardhurave nga aktivitete të tjera. Javën e kaluar, Prokuroria e Posaçme njoftoi zbulimin e një skeme të dyshuar për pastrim parash në këtë sektor, ku raportohet se janë të përfshirë edhe ndërtues të njohur.
Burime nga tregu shprehen se Banka e Shqipërisë vazhdon të ndërhyjë rregullisht në tregun valutor, me qëllim tërheqjen e një pjese të valutës dhe ngadalësimin e forcimit të monedhës vendase. Megjithatë, këto ndërhyrje nuk po arrijnë ta frenojnë plotësisht këtë forcim të Lekut.
Në periudhën 2024-2025, Banka e Shqipërisë ka blerë më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor. Ndërkohë që inflacioni është në rritje dhe ka arritur objektivin prej 3%, ndërhyrjet e mëtejshme në tregun valutor për të blerë Euro bëhen teorikisht më të vështira, pasi injektimi i mëtejshëm i Lekut në ekonomi mund të ushqejë presionet inflacioniste.
Nga ana tjetër, një forcim i mëtejshëm i Lekut mund të amortizojë pjesërisht këto presione, por do të thellojë efektet negative për sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare.
Burimi: Banka e Shqipërisë
