Nga miqësia në armiqësi – një histori transatlantike
Nuk ka dyshim se Evropa i detyrohet shumë Shteteve të Bashkuara. Askush nuk duhet ta harrojë kurrë mbrojtjen e lirisë nga Amerika për dekada të tëra në Evropën Perëndimore dhe Berlinin Perëndimor, financimin e suksesshëm të rindërtimit pas Luftës së Dytë Botërore, fitoren në Luftën e Ftohtë dhe bashkimin e Evropës nën ombrellën e sigurisë së NATO-s.
Për Evropën, këto ishin dekada të suksesshme, të lumtura dhe, duhet thënë, të rehatshme. Por ato gjithashtu i futën evropianët në një gjendje vetëkënaqësie. Ne nuk arritëm të vërenim se perspektiva nga qendra e perandorisë amerikane ishte shumë e ndryshme nga e jona; se SHBA-ja ndihej e ngarkuar dhe se po mbante gjithnjë e më shumë peshë sesa periferia e saj evropiane. Amerikanët luftuan luftëra të kushtueshme në interes të të gjithë perandorisë, ndërsa ne përsosëm mirëqenien tonë.
Lufta në Irak, kriza financiare e vitit 2008, vite të tëra deinustrializimi dhe arroganca e elitave amerikane ndaj votuesve të klasës punëtore dhe atyre rurale krijuan kushte ideale që një demagog të vinte në pushtet. Dhe kjo është ajo që ndodhi kur Donald Trump mori kontrollin e Partisë Republikane dhe fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Suksesi i tij ishte aq tronditës saqë as ai vetë nuk e kuptoi plotësisht se çfarë kishte ndodhur. Por nuk ishte më kështu kur ai u zgjodh përsëri një vit më parë. Që nga inaugurimi i tij i dytë në janar, bota transatlantike ka ndryshuar rrënjësisht.
Për Trump-in mund të thuhet shumë gjëra, por një gjë që s’mund t’i atribuohet kurrë është të qenit ideolog. Ideologjia e Trump është Trump – asgjë më shumë. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për zv/presidentin e tij, J.D. Vance, as për rrethin e tij të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, e as për lëvizjen më të gjerë MAGA (“Make America Great Again”) që e mbështet atë. Një nga ideologët kryesorë të lëvizjes, Steven Bannon, e sheh botën si një fushëbetejë midis traditës judeo-kristiane dhe armiqve të saj – të cilët përfshijnë edhe vetë eksponentë të liberalizmit perëndimor. Ai beson se nevojiten aleatë për të fituar këtë luftë kulturore globale dhe mendon se i ka gjetur ata te partitë populiste të krahut të djathtë të Evropës.
Tani që MAGA mban pushtetin në SHBA, Bannon sheh mundësi për ta zgjeruar lëvizjen duke ushtruar presion mbi evropianët “dekadentë”. Ky dukej të ishte edhe synimi i Vance kur ai mbajti fjalimin e tij famëkeq në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në shkurt. Duke i qortuar zyrtarët evropianë në sallë, ai e portretizoi partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë si viktimë të censurës, edhe pse administrata Trump po padiste media dhe po merrte masa të ashpra kundër universiteteve në vend.
Bannon dhe aleatët e tij kundërshtojnë gjithçka përfaqëson Bashkimi Evropian. E themeluar mbi vlera liberale, BE-ja synon të kapërcejë nacionalizmin përmes një integrimi gjithnjë e më të thellë. Por MAGA është pa hezitim nacionaliste dhe është e etur të krijojë një kauzë të përbashkët me të tjerët që ndajnë pikëpamjen e saj shoviniste për politikën. Kështu, nën Trump, transatlantizmi po përmbyset. Ai nuk është më një projekt internacionalist, por një projekt nacionalist.
Ironia është e dukshme. Të mos harrojmë se transatlantizmi lindi nga lufta kundër nacionalizmit ekstrem gjerman dhe racizmit gjenocidal të nazistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe u mbajt gjallë gjatë Luftës së Ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik. Por edhe nëse pranojmë se Evropa jetoi rehat për disa dekada si protektorat amerikan, nuk duhet t’i nënshtrohemi presionit të administratës amerikane aktuale.
Sado që i detyrohemi shumë Amerikës, po aq shumë kemi detyrime ndaj vetes – ndaj vlerave dhe parimeve me të cilat kemi jetuar prej kohësh. Amerika mund t’i ketë braktisur vlerat liberale dhe të ketë përqafuar nacionalizmin populist, por kjo nuk do të thotë se edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Në fakt, do të ishte katastrofike për Evropën – dhe veçanërisht për Gjermaninë – të pranonte një vetëtransformim të tillë.
Nuk duhet ta harrojmë kurrë paralajmërimin që ish-presidenti francez François Mitterrand bëri në fjalimin e tij të fundit para Parlamentit Evropian: “Nacionalizmi është luftë.” Me vetëm pak fjalë, ai përmblodhi thelbin e përvojës së tmerrshme të Evropës me këtë formë politike. Për ne, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë ideologji abstrakte; ka të bëjë me trashëgiminë e Evropës si vendi më i dhunshëm në Tokë deri në vitin 1945.
Nëse e djathta radikale amerikane do të përpiqej vërtet të rrëzonte projektin post-nacionalist të Evropës – diçka që është ngritur me shumë mund ndër breza – vetëm një person do të gëzohej: Vladimir Putin. Ky do të ishte një rezultat krejtësisht tragjik dhe absurd – një lloj dialektike e irracionales.