Dalja e parë nga exit-poll-et: Kush i fiton Prishtinën, Pejën dhe Gjakovën
Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet lokale në 18 komuna të Kosovës, të cilat në raundin e parë patën shkuar në balotazh. Sipas të dhënave të KQZ-së, me mbylljen e votimeve në orën 19:00, nga 18 komunat që zhvilluan balotazh, vetëm në Mitrovicën e Jugut dhe Junik pati pjesëmarrje më të lartë në votime sesa në raundin e parë.
Komunat që zhvilluan balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
LVV pritet të fitojë në Gjilan e Fushë Kosovë
Sipas exit-poll-eve të publikuara, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje pritet të fitojnë në Gjilan dhe Fushë Kosovë. LVV-ja ka qeverisur edhe mandatin e kaluar në Gjilan me kandidatin aktual, Alban Hyseni. Ndërkohë, Fushë Kosova, që nga përfundimi i luftës, është qeverisur nga LDK-ja. Kandidati i LVV-së për Fushë Kosovë është Valon Prebreza.
Exit-poll-et: LDK fiton Prishtinën
Sipas tre exit-poll-eve, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës parashikohet që të drejtojë edhe për një mandat kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Rama u përball në Prishtinë në raundin e balotazhit me Hajrulla Çekun nga Lëvizja Vetëvendosje.
Exit-poll-et: Gjakova vazhdon me Gjinin
Sipas tre exit-poll-eve, Adrian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parashikohet të fitojë edhe një mandat në Gjakovë. Në raundin e balotazhit, ai u përball me Adrian Golën nga Lëvizja Vetëvendosje.
Exit-poll-et: Pejën e fiton LDK, Gazmend Muhaxhiri
Kryetari aktual i Pejës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Gazmend Muhaxhiri, parashikohet të fitojë edhe një mandat. Kundërshtari i tij ishte Taulant Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje.
