Falje Detyrime Lokale & Tatime: Periudhat & Kushtet

Edhe Detyrimet Vendore të Papaguara deri në 2014 do të Falen; Drejtoria e Tiranës Sqaron Periudhat

Përveç detyrimeve të papaguara në tatime dhe dogana, do të falen edhe detyrimet vendore të papaguara deri në vitin 2014.

Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore për bashkinë Tiranë ka bërë të qartë periudhat kohore për të cilat detyrimet do të falen plotësisht, periudhat për të cilat do të falen gjobat dhe kamatëvonesat në rast pagese pjesore të principalit (nga 50% në 75%), si dhe vitet për të cilat kërkohet pagesa e plotë e detyrimit për të përfituar faljen e gjobave dhe kamatëvonesave.

Sipas njoftimit, dispozitat ligjore janë si më poshtë:

  • Ligji nr. 86/2025 fal plotësisht detyrimet vendore deri në vitin 2014.
  • Për vitet 2015–2019, paguhet vetëm 50% ose 75% e detyrimit kryesor, ndërsa të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat falen. Kjo dispozitë vlen për bizneset dhe qytetarët pronarë të njësive tregtare.
  • Për vitet 2020–2024, kërkohet pagesa e plotë e detyrimit kryesor deri më 31.12.2026. Edhe në këtë rast, falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.

Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore ka theksuar se nuk do të përfitojnë nga ky ligj subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetim penal për vepra në fushën tatimore dhe/ose doganore.

Periudhat e zbatimit të ligjit për fshirjen e detyrimeve të papaguara përfshijnë edhe detyrimet në tatime dhe dogana, me të njëjtat afate.

Specifikisht:

  • Për tatimet dhe doganat, përcaktohet fshirja e plotë e detyrimeve të papaguara deri më 31 dhjetor 2014.
  • Për detyrimet e papaguara nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, parashikohet falja e pjesshme e detyrimeve me kushtin e pagesës së 50% deri në 75% të principalit.
  • Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave bëhet e mundur vetëm nëse principali paguhet plotësisht deri më 31 dhjetor 2026.
Scroll to Top