Fatos Nano: Nekrologjia nga The Guardian

The Guardian: Nekrologji për Fatos Nanon

Fatos Nano, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe figurë kyçe në tranzicionin e vendit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut, është përshkuar në një nekrologji nga mediumi britanik “The Guardian”. Nano, i cili ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare, u cilësua si një politikan që ndihmoi në drejtimin e procesit fillestar të Shqipërisë nga sundimi komunist drejt një ekonomie tregu, megjithëse periudha ishte e karakterizuar nga kaos.

“The Guardian” thekson se Nano ishte një nga dy figurat më dominuese në politikën shqiptare për 15 vjet, së bashku me rivalin e tij Sali Berisha, duke filluar nga rënia e regjimit komunist në vitin 1990. Artikulli vlerëson rolin e tij si kryeministër dhe lider i Partisë Socialiste (PS), duke nënvizuar kontributin e tij në transformimin e Shqipërisë drejt një shoqërie pluraliste dhe ekonomisë së tregut, si dhe përpjekjet e tij për të ruajtur stabilitetin.

SHKRIMI I THE GUARDIAN:

Qoftë në qeveri apo në burg, Fatos Nano ishte një nga dy figurat kryesore, së bashku me rivalin e tij të përjetshëm, Sali Berishën, që dominuan skenën politike të Shqipërisë gjatë 15 viteve të trazuara, duke filluar me shpërbërjen e sundimit të Partisë Komuniste në vitin 1990. Karakteristikë e turbullirave politike të kësaj periudhe ishte fakti që, megjithëse u emërua kryeministër katër herë, Nano shërbeu gjithsej vetëm katër vite në atë post.

Nano, i cili ndërroi jetë nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, e kishte bazuar ndikimin e tij politik në pozicionin e pakontestuar si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS) deri në vitin 2005. Si kryeministër në vitin 1991, Nano luajti një rol të rëndësishëm në drejtimin e tranzicionit kaotik, por kryesisht paqësor të Shqipërisë nga një regjim stalinist i ashpër me ekonomi të komanduar drejt një shoqërie pluraliste dhe një ekonomie tregu në formim.

Përfituesi fillestar politik i atij transformimi ishte opozita, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) e Berishës, e cila fitoi bindshëm në zgjedhjet e para vërtet të lira në mars të vitit 1992. Berisha u zgjodh president nga parlamenti i ri. Nano, i cili në vitin 1991 kishte filluar të shndërronte Partinë e Punës së Shqipërisë (PPSH) në PS me orientim socialdemokrat, së shpejti u gjend në burg, pas dënimit për akuza korrupsioni.

Mundësia e dytë e Nanos për të ndryshuar politikën shqiptare erdhi në mars 1997, kur kolapsi kombëtar i skemave piramidale çoi në një kryengritje kundër sundimit gjithnjë e më autoritar të Berishës. Trazirat e kësaj periudhe ishin shumë më të dhunshme se në vitet 1991-92, teksa grupet rebele dhe bandat morën armë nga depot ushtarake. Në zgjedhjet e parakohshme të qershorit 1997, socialistët mundën rëndë demokratët, duke çuar në dorëheqjen e Berishës. Nano u rikthye si kryeministër dhe zhvendosi ekuilibrin e pushtetit nga sundimi de facto presidencial i Berishës drejt një sistemi parlamentar.

Gjatë tetë viteve të sundimit të PS-së që nisën në vitin 1997, ekonomia u stabilizua gradualisht, jeta politike u qetësua dhe konfliktet sociale u lehtësuan. Megjithatë, elektorati u zhgënjye gjithnjë e më shumë nga qeveritë socialiste, duke sjellë fitoren e papritur të demokratëve në zgjedhjet e korrikut të vitit 2005, gjë që i dha mundësi Berishës të rikthehej në pushtet.

Kontributi i fundit i madh i Nanos ishte mundësia e transferimit paqësor të pushtetit dhe dorëheqja nga drejtimi i PS-së. Pasardhësi i tij, Edi Rama, kryeministri aktual, do ta shndërronte PS-në në një makineri të fuqishme fituese zgjedhjesh.

Nano lindi në Tiranë. Babai i tij, Thanos, shërbeu si drejtues i Radio Televizionit Shqiptar. Nëna e tij, Maria (mbiemri i vajzërisë Shuteriqi), ishte nëpunëse shtetërore. Nano u arsimua në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe u diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës në vitin 1974. Pas punës si ekonomist, Nano iu bashkua Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, qendra ideologjike e PPSH-së.

Ai u bë protezhe i drejtoreshës Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit komunist Enver Hoxha. Politikat gjithnjë e më izoluese të Hoxhës kishin çuar në varfërimin e Shqipërisë në vitet 1980. Vështirësitë ekonomike dhe sukseset e lëvizjeve pro-demokraci në Europën Qendrore e Lindore nxitën protestat studentore në Shqipëri në fund të vitit 1990.

Nano u emërua sekretar i përgjithshëm i qeverisë në dhjetor 1990. Më pas ngritja e tij ishte e shpejtë: zëvendëskryeministër në janar 1991 dhe, pas rrëzimit të monumentit të Hoxhës në Tiranë më 20 shkurt, u emërua kryeministër nga pasardhësi i Hoxhës, presidenti Ramiz Alia. Nano ishte vetëm 38 vjeç në kohën e emërimit. Promovimi i tij synonte të projektonte imazhin e një ndryshimi gjeneratash dhe transformimi politik.

Taktika funksionoi dhe ai u emërua kryeministër për herë të dytë pas fitores së PPSH-së në zgjedhjet e para shumëpartiake në mars. Megjithatë, PPSH kishte një avantazh të madh në burime dhe propagandë ndaj opozitës së sapoformuar. Zgjedhjet nxitën protesta dhe grevë të përgjithshme, që çuan në dorëheqjen e Nanos në qershor. Brenda pak ditësh, kongresi i PPSH-së votoi për ta riemërtuar partinë si Partia socialiste (PS) dhe zgjodhi Nanon kryetar.

Pas fitores së PD-së në zgjedhjet e vitit 1992, Nano u arrestua në vitin 1993 dhe në 1994-ën u dënua me 12 vite burg për shpërdorim fondesh shtetërore gjatë kohës si kryeministër. Ai i mohoi të gjitha akuzat dhe u bë martir për socialistët. Ai vazhdoi të drejtonte PS-në nga burgu.

Gjatë kryengritjes kundër Berishës në vitin 1997, Nano u lirua dhe më pas udhëhoqi socialistët drejt fitores zgjedhore. Ndryshe nga Berisha, ai nuk ishte hakmarrës dhe nuk pati përpjekje për të ndëshkuar liderët demokratë përmes gjykatave.

Mandati i tij i tretë si kryeministër u ndërpre pas një viti nga trazirat pas vrasjes së Azem Hajdarit, politikan i PD-së, në vitin 1998. Nano u largua përkohësisht nga Tirana dhe për të ulur tensionet ia dorëzoi postin e kryeministrit fillimisht Pandeli Majkos dhe më pas Ilir Metës, ndërsa mbeti në kontroll të përgjithshëm të qeverisë. Kur Meta filloi të afirmohej, Nano u rikthye si kryeministër në korrik 2002 për mandatin e tij të fundit.

Për Nanon, pushteti kishte më pak rëndësi sesa përfitimet materiale që vinin me të. Ai kishte një stil të çlirët dhe gazetarët shpesh trajtoheshin me biseda miqësore dhe një gotë uiski.

Stili i rehatshëm i Nanos, vetëkënaqësia e qeverisë dhe përçarja me Metën, çuan në humbjen e PS-së në zgjedhjet e vitit 2005. Dorëheqja e Nanos nga drejtimi i partisë i dha fund karrierës së tij politike.

Një përpjekje për t’u zgjedhur kryetar i shtetit nga parlamenti në vitin 2007 dështoi përballë kundërshtimit jo vetëm të demokratëve, por edhe të shumë ligjvënësve të PS-së së Ramës.

Më pas, Nano dhe gruaja e tij e dytë, Xhoana, jetuan një jetë të qetë, duke ndarë kohën midis shtëpive në Vjenë dhe Tiranë. Ai lë pas gruan e tij Xhoanën dhe dy fëmijët nga martesa e tij e parë, Sokolin dhe Edlirën, si dhe një djalë të adoptuar nga martesa e parë e partneres së tij, Klajdi.

Scroll to Top