Fëmijë 11-vjeçar ecën 6km në borë nga autobusi

E paprecedentë! Shoferi e zbret nga autobusi i shkollës për mungesë bilete; 11-vjeçari ecën 6 km në borë.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur me një 11-vjeçar, i cili u detyrua të ecte gjashtë kilometra në kushte dimërore, mes borës dhe temperaturave nën zero, pasi u zbrit nga autobusi i shkollës për mungesë bilete.

Ngjarja i ka ndodhur një fëmije që jeton në Vodo di Cadore (Belluno) dhe ndjek shkollën në San Vito di Cadore. Ai u detyrua të zbriste nga autobusi i linjës 30 Calalzo-Cortina pasi nuk posedonte biletën prej 10 eurosh, tarifë e caktuar për këtë itinerar.

Familja ka ngritur një padi për braktisje të fëmijës. Gjyshja e djalit, Chiara Balbinot, një avokate nga Padova, raportoi: “Kemi ngritur padi dhe fëmija u kthye në shtëpi me vuajtje të rënda fizike, aq sa ai është ende i sëmurë.”

Në fillim të vitit shkollor, nëna e tij kishte blerë disa bileta me vlerë 2.50 euro. Pas kontrollit në zyrën e biletave për të verifikuar datën e skadimit, u konfirmua se ato ishin të vlefshme.

Të martën, ditën e kthimit nga shkolla pasdite, rreth orës 16:00, djali u nis drejt stacionit të autobusit me dy shokë klase. Sipas familjes, autobusi i parë nuk u ndal, kështu që ata hipën në autobusin e orës 16:40.

Pasi hipi në autobus, fëmija vulosi biletën dhe ia dorëzoi shoferit. Sipas deklarimeve, shoferi e pyeti nëse kishte një biletë prej 10 eurosh. Kur fëmija u përgjigj negativisht, shoferi dyshohet se e urdhëroi të zbriste nga autobusi. Kërkesa e të miturit për të marrë mbrapsht biletën që kishte përdorur, u refuzua.

Më pas, fëmija u përshëndet me shokët e klasës dhe nisi ecjen prej rreth gjashtë kilometrash nga San Vito në Vodo, në temperatura rreth minus tre gradë Celsius dhe me errësirën që po afrohej.

Me t’u kthyer në shtëpi, ai i tregoi nënës së tij, Sole Vatalaro, ngjarjen. Ajo raportoi se djali i saj kishte një temperaturë trupi prej 35 gradë Celsius dhe ishte shumë i lodhur.

Familja ka paraqitur gjithashtu një ankesë zyrtare pranë kompanisë Dolomiti Bus, nëpërmjet shërbimit ndaj klientit. Gjatë një bisede telefonike, u informuan se shoferëve nuk u lejohet të pranojnë para në dorë nga pasagjerët.

Uebsajti i Dolomiti Bus sqaron se për linjën 30, biletat mund të blihen vetëm nëpërmjet aplikacionit Dolomiti Bus, platformës OpenMove dhe pagesës elektronike në bord me një terminal POS për biletën e ditës speciale. Shitjet me para në dorë nga shoferi nuk janë të lejuara.

Kostoja e një bilete për linjën Calalzo-Cortina është vendosur në 10 euro, pavarësisht nga distanca, në përputhje me dispozitat e miratuara për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të Milanos dhe Kortinës 2026.

Mbetet për t’u sqaruar se çfarë masash do të marrë kompania për këtë incident. Ndërkohë, ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.

Scroll to Top