Fëmijë 5-vjeçar pa gishta, dyshohet torturë nga nëna

Tronditëse në Lipjan: Fëmija 5-vjeçar pa gishtat e këmbëve, dyshohet se ia preu e ëma

Historia e një fëmije 5-vjeçar, i cili rezulton të jetë kequshqyer dhe keqtrajtuar, ka tronditur opinionin publik në Kosovë. I mituri nga Lipjani është shtruar në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabël në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit të Klinikës së Pediatrisë, fëmija është pranuar fillimisht në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime gangrenoze. Këmbët e vogëlushit 5-vjeçar janë pa asnjë gisht. Dyshohet se ato u prenë nga e ëma e tij, e cila thuhet të ketë probleme mendore, sipas raportimit të Klan Kosova.

Gjithashtu, sipas të njëjtave burime, fëmija rrezikon amputimin e të dy shputave të këmbëve. Kanë qenë familjarë ata që kanë vënë re gjendjen e fëmijës dhe kanë njoftuar të afërmit, duke ngritur alarmin.

Prindërit e fëmijës janë arrestuar, ndërsa 6 fëmijë të tjerë të kësaj familjeje janë vendosur në strehim dhe nën mbrojtje në një vend të sigurt, thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Scroll to Top