Fëmijët në rrezik nga ndryshimet klimatike, paralajmëron UNICEF

UNICEF: Afërsisht 1 miliard fëmijë të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta për shkak të ndryshimeve klimatike

Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale po shumëfishojnë thatësirat, uraganet, ciklonet dhe valët e të nxehtit. Si pasojë, gati një miliard fëmijë janë të ekspozuar ndaj të paktën tre llojeve serioze dhe mbivendosëse të rreziqeve, paralajmëron një raport i publikuar sot nga UNICEF, fondi i fëmijëve i Kombeve të Bashkuara. Raporti thekson ndikimin joproporcional në rajone të caktuara të botës.

Agjencia e OKB-së ka krahasuar të dhënat për vendqëndrimin e rreth 2.4 miliardë fëmijëve në planet me shpërndarjen gjeografike të tetë rreziqeve më të shpeshta klimatike: përmbytjet bregdetare, përmbytjet nga lumenjtë, thatësirat, stuhitë tropikale, valët e të nxehtit (të paktën tre ditë radhazi me temperatura të larta, të ndryshme sipas vendit), nxehtësia ekstreme (mbi 35°C gjatë gjithë ditës), zjarret, dhe stuhitë e rërës.

Ndërsa një seri fatkeqësish po prek gjithnjë e më shumë fëmijë, ky raport shqyrton më nga afër ata që jetojnë nën të paktën tre rreziqe, një kategori që është rritur ndjeshëm gjatë 20 viteve të fundit.

Afërsisht gjysma e fëmijëve në botë (1.1 miliardë) jetojnë nën të paktën tre rreziqe që mbivendosen. Kombinimi më i zakonshëm është thatësira, nxehtësia ekstreme dhe valët e të nxehtit, duke prekur 296 milionë fëmijë. Në këtë grup përfshihen 74 milionë fëmijë në Nigeri, 34 milionë në Pakistan dhe 32 milionë në Indi.

Pothuajse të gjithë fëmijët (rreth 2.3 miliardë) janë të ekspozuar ndaj të paktën një rreziku. 2 miliardë janë të ekspozuar ndaj të paktën dy, 364 milionë ndaj të paktën katër, 53 milionë ndaj të paktën pesë, 4 milionë ndaj të paktën gjashtë, dhe 123,000 ndaj të paktën shtatë rreziqeve (nga të cilët 46,000 në Mianmar).

“Fëmijët janë në vijën e parë të pasojave të ndryshimeve klimatike,” thekson Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, në parathënien e raportit “Rreziku Klimatik për Fëmijët”, duke bërë thirrje për veprim.

Disparitete në ekspozimin ndaj rreziqeve

Jo të gjitha vendet përballen me të njëjtën situatë. Ndërsa për sa i përket numrit absolut të fëmijëve në rrezik, vendet me popullsi të mëdha si Bangladeshi, India, Nigeria dhe Pakistani kryesojnë listën, situata është më alarmante në Afrikën Sub-Sahariane, veçanërisht vendet e Sahelit, dhe shtetet e vogla ishullore, për sa i përket përqindjes së fëmijëve të prekur për vend.

Tom Schleimecker, një nga autorët e raportit, shpjegon se fëmijët janë të ekspozuar pothuajse kudo, në vende të varfra dhe të pasura, por “nuk janë të barabartë” përballë rreziqeve. UNCIEL thekson “vulnerabilitetin” e fëmijëve në varësi të aksesit të tyre në shërbimet bazë, infrastrukturën dhe mallrat si shëndetësia, ushqimi, uji, arsimi dhe mbrojtja.

“Pikat e nxehta” të rrezikut

Shqetësimi kryesor drejtohet drejt vendeve të nxehta, siç i cilëson z. Schleimecker, duke iu referuar vendeve në Afrikën Sub-Sahariane, pjesëve të Azisë Jugore dhe shteteve të vogla ishullore. Në veçanti, vendet e Sahelit, si Republika Qendrore Afrikane, Çadi, Mali, Nigeri, si dhe Sudani i Jugut, përballen me pasojat e përkeqësuara nga vështirësia e autoriteteve për t’u përballur me situatat.

Për shembull, në Çad, një vend i prekur nga kriza humanitare dhe me mungesë uji të pijshëm, energjie elektrike dhe ushqimi, më shumë se 95% e fëmijëve kërcënohen nga të paktën tre rreziqe klimatike (thatësira, nxehtësia ekstreme dhe valët e nxehtësisë). Kjo përqindje është ndër më të lartat në botë.

UNICEF paralajmëron për një “cikel vicioz” në vendet më të cenueshme: thatësira shkakton ulje të të korrave dhe pasiguri ushqimore; zonat e thatësirës janë më të prirura ndaj zjarreve ose përmbytjeve, të cilat shkatërrojnë shtëpi e shkolla, duke detyruar popullatat të zhvendosen. Fëmijët e zhvendosur janë më të cenueshëm ndaj fatkeqësive të ardhshme dhe kanë më pak burime për të ardhmen, për shkak të mungesës së arsimimit. Këtyre i shtohen sëmundje si malaria apo kolera.

39 vende ishullore konsiderohen gjithashtu veçanërisht të cenueshme për shkak të kufizimeve strukturore: izolimi, territori i vogël i ekspozuar ndaj dëmeve nga uraganet ose ciklonet pa mundësi strehimi tjetër, mungesa e ujit të pijshëm dhe varësia nga importet.

Ku mund të gjenden vendet më të sigurta?

Të dhënat e raportit tregojnë se në shumë vende, pjesë të vogla të popullsisë nuk janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të analizuara, kryesisht në hemisferën veriore, siç janë vendet Skandinave. Megjithatë, raporti trajton tetë rreziqet më të zakonshme globale. Fëmijët në këto vende mund të përballen gjithashtu me rreziqe klimatike që nuk trajtohen në raport, siç janë shkrirja e akullnajave ose ngricat e përhershme.

Scroll to Top