57-vjeçari i armatosur në Fier, babai i personit që vrau policin
Një 57-vjeçar është arrestuar në Fier pasi lëvizte i armatosur. Ai rezultoi të jetë Petrit Mernica, babai i Azgan Mernicës. Ky i fundit vrau punonjësin e policisë së “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, më shumë se një vit më parë.
Sipas raportimeve, Petrit Mernica, banues në fshatin Sulaj të Fierit, ka qenë i dënuar më parë për vrasjen e kunatit, për të cilën ka vuajtur 20 vite burg.
Efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra mesditën e 13 majit 2024, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Dosja e vrasjes tregon se ngjarja filloi si një konflikt banal. Azgan Mernica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë, ndërkohë që efektivi i policisë, i cili ishte në krye të detyrës, i tërhoqi vëmendjen.
Pas një debati të ashpër, Mernica nxori armën e zjarrit dhe qëlloi për vdekje efektivin e policisë.
